Lajme

Meloni i përgjigjet Francës për anijen humanitare: Qeveria respekton konventat


Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka reaguar lidhur me deklaratën e zëdhënësit të qeverisë franceze Olivier Veran, i cili ka thënë se Italia të bëjë pjesën e saj dhe të respektojë angazhimet lidhur me anijen humanitare.

Meloni ka thënë se qeveria e saj ka mbajtur qëndrim korrekt për sa i përket menaxhimit të mbërritjes së emigrantëve.

“Qeveria italiane, respekton të gjitha konventat. Vendimi i autoritetit shëndetësor për të zbarkuar të gjithë emigrantët e pranishëm në anijet e OJQ-ve, duke i shpallur ata të brishtë në bazë të rreziqeve të mundshme të problemeve psikologjike, nuk varej nga qeveria”, tha ajo.

Ndër të tjera, sipas Melonit ndalimi i këtyre anijeve është i justifikuar dhe legjitim.

“Çështjen e ligjshmërisë”, vazhdoi ajo, “ne e konsiderojmë karakteristikë dalluese të kësaj qeverie: duhet të respektojmë rregullat dhe kjo vlen për çdo fushë”.

Më herët gjatë ditës sotme, Veran theksoi se “Ocean Viking ndodhet në ujërat territoriale italiane. Ka rregulla evropiane jashtëzakonisht të qarta, të cilat, për më tepër, janë pranuar nga italianët, që në fakt janë përfituesit e parë të mekanizmit evropian të solidaritetit financiar”.

Çfarë ka ndodhur ditë më parë?

Pak ditë më parë, për Gérald Darmanin, ministri i Brendshëm francez, nuk kishte dyshime se Italia “do ta respektonte ligjin ndërkombëtar”.

Anija ka mbetur e bllokuar në det me 234 emigrantë në bord.

“E drejta ndërkombëtare është shumë e qartë: kur një varkë e humbur kërkon të ankorohet, është porti më i sigurt dhe më i afërt që duhet ta mirëpresë atë”, ka thënë ai.

Kështu që, vendi që do të duhet ta mirëpresë është Italia.

“I kemi thënë Italisë dhe e themi bashkë me Gjermaninë që nëse anija humanitare mirëpritet në Itali, edhe ne do të mirëpresim një pjesë të emigrantëve, gra dhe fëmijë, në mënyrë që Italia të mos marrë barra e kësaj ardhjeje emigrantësh”, ka shtuar ai.

Reagimi i tij ka ardhur pas një komenti që shkaktoi shumë tensione në parlamentin francez në seancën e fundit parlamentare se “ata duhet të kthehen në Afrikë”.

Gregoire de Fournas, një anëtar i sapozgjedhur i “Tubimit Kombëtar” të ekstremit të djathtë u kritikuar pas komenteve të tij, ku i tha “kthehu në Afrikë” një kolegu me ngjyrë.

Anëtari i parlamentit, Carlos Martens Bilongo, i ekstremit të majtë po merrte në pyetje Qeverinë për varkën e shpëtimit që po transportonte qindra pasagjerë në Detin Mesdhe.

Bilongo u ndërpre nga Gregoire de Fournas, i cili tha se “ata duhet të kthehen në Afrikë”.

Presidenti i Dhomës së Ulët të parlamentit francez, Yawl Braun Pivet, pezulloi më pas seancën legjislative, duke thënë se komenti do të hetohej.

Deklarata shkaktoi kritika dhe zemërim pasi pretendohej se De Fournas mund të ketë sulmuar drejtpërdrejt Bilongon me fjalët e tij, pasi në gjuhën frënge përemrat “ai” dhe “ata” shqiptohen njësoj.

De Fournas, mbrojti komentin e tij dhe akuzoi kundërshtarët për “manipulim”, dhe partia e tij mohoi gjithashtu çdo sulm personal ndaj Bilongo-s.

Ai më vonë i kërkoi falje Bilongos për “keqkuptimin që shkaktuan komentet e mia”.

Megjithatë, kryeministrja Elisabeth Borne, i kërkoi asamblesë të sanksionojë deputetin e ekstremit të djathtë duke thënë se “racizmi nuk ka vend në demokracinë tonë”.

Sakaq, Bilongo e quajti komentin “të turpshëm”.

Edhe Norvegjia ka deklaruar se i takon Italisë të mirëpresë emigrantët.

“Përgjegjësia kryesore për koordinimin e punës për të siguruar një strehë të sigurt për ata që janë në det i takon shtetit përgjegjës për zonën e kërkim-shpëtimit, të cilit i është kërkuar ndihmë”, ka deklaruar Ambasada e Oslos në Romë.

Sipas saj, Norvegjia nuk ka asnjë përgjegjësi sipas konventave të të drejtave të njeriut.

Reagimi vjen pas komentit të ministrit Salvini, i cili ka deklaruar se “një anije norvegjeze duhet të shkojë në Norvegji”.

“Sjellje e papranueshme”, anija humanitare duhet të mirëpritet nga Italia – sipas Francës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore