Lajme

Mehaj: Kosova, vlerë e shtuar e NATO-s


Ilustrim

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se Aleancës Veri Atlantike (NATO) i duhet Kosova, sepse ajo tashmë është mishëruar mes aleatëve në të dy anët e Atlantikut.

Ai ka thënë se bota sot ka ndryshuar, dhe NATO duhet të pranoj Kosovën.

“I duhet si vlerë e shtuar, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë për brezat e ardhshëm kudo në Botë. Për Humanitetin, Lirinë, Demokracinë dhe Solidaritetin”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Mehaj tutje ka thënë se vendosmëria e NATO-së për mbrojtjen e vlerave demokratike, ka shpëtuar “vendin dhe popullin tonë nga gjenocidi”.

“Ne e dimë më së miri vlerën e mbrojtësit të jetërave të njerëzve të pambrojtur nga e keqja. Ne e dimë më së miri vlerën e luftëtarit kundër abuzimeve masive të të drejtave të njeriut”.

“Me NATO-n qëndruam dhe qëndrojmë përkrah në operacionin KFOR në vendin tonë”.

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se ishim përkrah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “në operacionin e stabilitetit në Kuvajt” dhe se “do të jemi bashkë edhe në operacione tjera”.

Edhe në evakuimin e refugjatëve afgan, Mehaj ka thënë se Kosova ishte përkrah NATO-s, andaj Kosova  është e gatshme të vazhdoj këtë bashkëpunim.

“Andaj Forca jonë, gjithçka që disponojmë është e ndërveprueshme me NATO-n. Ne jemi të vetëdijshëm se procesi i anëtarësimit në NATO kërkon kohë dhe durim”.

Për fund Mehaj ka shkruar se momentumi i krijuar kërkon bashkimin e botës perëndimore brenda alenacës.

“Por momentumi i tashëm në mjedisin e ri të sigurisë, kërkon tani kontributin tonë në NATO. Kërkon tani anëtarësimin tonë. Duam më shumë Kosovë në NATO. Dhe më shumë NATO në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore