Lajme

Mehaj: FSK dhe Garda Kombëtare e Iowa-s një trup i vetëm


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Komandanti i Ben Corell Shtabit të Përgjithshëm të Gardës së Iowa-s

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në 10 vjetorin e bashkëpunimit në mes të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka bërë të ditur se dy forcat tani më janë një trup dhe shpirt i vetëm.

Mehaj i cili është pritur në Komandën dhe Shtabin e Përgjithshëm të Gardës së Iowa-s, nga komandanti gjeneral major Ben Corell, e ka falënderuar këtë të fundit dhe stafin e tij duke çmuar kontributin e madh dhe të pazëvendësueshme të Gardës së Iowa-s, në ngritjen, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së.

“Me gjeneral Corell u pajtuam që dy forcat tona për një dekadë të veprimit të përbashkët kanë arritur në stadin që të veprojnë si një trup i vetëm”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Programit për Partneritet Shtetëror mes Kosovës dhe Iowa-s në sektorin e mbrojtjes, delegacioni i Kosovës i përbërë nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përfaqësues diplomatik të Kosovës në ShBA dhe përfaqësues të FSK-së, kanë zhvilluar takime zyrtare si dhe kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në Iowa.

Delegacioni kosovarë në Iowa për nder të shënimit të 10 vjetorit të Programit për Partneritet Shtetëror mes Kosovës dhe Iowa-s në sektorin e mbrojtjes

Kryediplomatja Gërvalla shprehu falënderimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që institucionet e Kosovës dhe FSK-ja ka me Gardën Kombëtare të Iowa-s nga e cila tha se ka përfituar mjaftë shumë vendi ynë.

“Ky partneritet 10 vjeçar do të thotë shumë për Kosovën. Është një kontribut tepër i madh drejt FSK-së e cila ka përfituar nga ky partneritet duke u zhvilluar dhe modernizuar dhe duke u bërë forcë e stabilitetit dhe paqes në rajon”, ka thënë ndër tjerash ajo.

Më pas delegacioni i Kosovës mori pjesë në një konferencë tematike me përfaqësues të institucioneve të Iowa-s, duke përfshi gjeneralmajori Ben Corell, qëllimi i së cilës ishte të diskutohej një strategji bashkëpunimi mes të dyja vendeve për një periudhë afatmesme, përmes projekteve të ndryshme në fushën e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore