Lajme

Mehaj dhe ambasadori holandez, diskutojnë për situatën e sigurisë në rajon


Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe ambasadori Holandez, CPD C. Loppezoo.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj të mërkurën është takuar me ambasadorin holandez , CPD C. Loppezoo me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot prita në takim Ambasadorin Holandez, Shefin e Çështjeve Bilaterale në Ministri të Mbrojtjes të Holandës, Kolonel J.Dekker, si dhe Atasheun Holandez, nënkolonel Verbeek, me të cilët diskutuam rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, hapave që si Ministri e Mbrotjes dhe FSK kemi ndërmarrë në ngritjen e kapaciteteve ushtarake për t’i shërbyer sigurisë në Kosovë dhe misioneve të NATO-s, anëtar e së cilës aleancë synojmë të bëhemi”.

Mehaj ka thënë se ka falënderuar ambasadorin edhe për mbështetjen që Holanda është duke i ofruar këtij dikasteri.

“Falenderova ambasadorin për mbështetjen që Holanda po i ofron Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Ndërsa ambasadori shprehu vlerësimin e tij të lartë për punën e Qeverisë si dhe shpejtësinë me të cilën është duke u zhvilluar Forca e Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

Më 21 nëntor, Kosova dhe Holanda kanë nisur bashkëpunimin në fushën ushtarake.

Ky vendim erdhi gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, në të cilin ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është takuar edhe me ministren e Mbrojtjes Kombëtare të Holandës, Kajsa Ollongren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore