Lajme

Mehaj: Clark po lobon për anëtarësimin e Kosovës në NATO


Armend Mehaj dhe Wesley Clark

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shkruar se Wesley Clark, ish – komandant suprem i forcave të bashkuara të NATO-s për Evropën, ka bërë thirrje autoriteteve vendimmarrëse në NATO, se Kosova duhet të jetë anëtare e Aleancës-Veri Atlantike, sa më shpejtë që është e mundur.

Sipas Mehaj, Clark gjithashtu ka bërë thirrje vendeve mos njohëse të shtetësisë së Kosovës, ta njohin atë në atë mënyrë që të mbrohet sistemi ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara i rrezikuar aktualisht nga agresioni i Rusisë në Ukrainë.

Ministri Mehaj, i cili ditë më parë e ka cilësuar si nevojë imediate anëtarësimin e Kosovës në NATO, pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ka kërkuar nga mërgata kosovare të bëjnë diplomaci qytetare në mënyrë të promovimit të vlerave demokratike të Kosovës ne vendet e ndryshme të botës ku ata jetojnë.

“Ju bëjë thirrje si bashkëqytetar, bashkëkombës dhe mik i juaj, të ftoni, kudo që jeni dhe nga cilado pozitë që keni, miqtë tuaj spanjoll, grek, rumun, sllovak dhe qipriot, ta dëgjojnë të vërtetën e Kosovës dhe popullit tonë”, kishte shkruar Mehaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Në anën tjetër edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takimin me homologun e saj turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përsëritur kërkesën e shtetit të saj se “përshpejtimi i anëtarësimit në NATO është i nevojshëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor’’.

Kërkesa e saj u konfirmuar nga Erdogan, i cili potencoi se vendi i tij nuk ka asnjë problem në raport me anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Ne si vend i rëndësishëm në NATO nuk shohim asgjë që nuk shkon sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ne e mbështesim këtë proces. Do të ndërmarrim hapat tona, siç ndihmuam në procesin e njohjeve do të bëjmë njëjtë edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, pohoi Erdogan.

Ndryshe ish-gjenerali, Clark më 7 korrik të vitit të kaluar ishte mirëpritur me nderimet më të larta ushtarake nga garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në hapsirat e Ministrisë së Mbrojtjes, në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore