Sport

Me sytë nga Sevilja, Eintracht dhe Rangers përballen për trofeun e Europa League


Kjo e mërkurë e 18 majit do të sjellë përballjen e fundit për këtë sezon në UEFA Europa League.

Në stadiumin “Ramos Sanchez-Pizjuan” të Seviljas do të përballen Eintracht Frankfurt-i dhe Rangers-i për trofeun e dytë më të rëndesishëm në Evrope për klube pas Champions League.

Slloveni 42-vjeçar, Slavko Vincic, do të jetë gjyqtari kryesor i takimit, i cili do të fillojë nga ora 21:00.

Historiku skuadrave

Gjermanët e Eintracht-it e kanë fituar një herë më parë trofeun, në vitin 1980, kur quhej UEFA Cup. Arritja tjetër e tyre më e madhe ishte finalja e vitit 1960, e humbur 7-3 ndaj Real Madrid-it.

Këtë sezon ata e nisën rrugëtimin nga Grupi D, së bashku me Olympiacos, Fenerbahce dhe Antwerp, ku dhe përfunduan si skuadra kryesuese.

Në raundin e të 16-ve u përballë me Real Betis-in. Në çerekfinale arriti të eleminonte Barcelona-n. Ndërsa në gjysmëfinale mundi West Ham-in.

Skuadra skoceze e Rangers-it ka gjithashtu vetëm një triumf në kompeticionet evropiane. Në vitin 1972 ata arritën të merrnin trofeun e European Cup Winners’ Cup.

Në total ata kanë arritur në katër finale të kompeticioneve të UEFA-s. E fundit ishte ajo e vitit 2008, kur u mundën nga Zenit-i në UEFA Cup.

Këtë sezon, Rangers-i e nisi aventurën në Europa League nga faza e play-off, ku eleminoi armenët e Alashkert-it.

 (Photo by Mark Runnacles – UEFA/UEFA via Getty Images)

Më pas u bë pjesë e Grupit A, së bashku me Lyon, Sparta Praha dhe Brondby. Ata arritën të zinin vendin e dytë pas Lyon-it.

Në play-off për të arritur në raundin e të 16-ve skocezët eleminuan Borussia Dortmund-in. Më pas Crvena Zvezda-n, Braga-n dhe Leipzig-un.

Formacionet e mundshme

Eintracht: Trapp; Toure, Tuta, N’Dicka; Knauff, Sow, Rode, Kostic; Hauge, Kamada, Borre.

Rangers: McGregor; Goldson, Lundstram, Bassey; Tavernier, Jack, Kamara, Barišić; Wright, Aribo, Kent.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore