Lajme

Me sytë nga e ardhmja, PDK vendos për kreun e ri më 3 korrik


Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pritet të vendoset më 3 korrik 2021. Që nga nëntori i vitit të kaluar, PDK-në e ka drejtuar kryetari Enver Hoxhaj.

Kjo, pas dorëheqjes së ish-kryetarit Kadri Veselit, i cili u largua pas konfirmimit të akuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Partia, e cila për 21 vjet ishte udhëhequr nga dy liderët e pakontestuar, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, pritet të zgjedhë pasardhësin e tyre.

Por, garës për ulësen e të parit të PDK-së, nuk ka vendosur t’i hyjë nënkryetari aktual, Sami Lushtaku.

Për Albanian Post, ai ka thënë se fokusi i tij do të jetë në qytetin e Skënderajt, por është shprehur i gatshëm për ta ndihmuar liderin e ri të partisë.

“Ai që vjen duhet me qenë serioz dhe, pavarësisht se kush i merr votat, ne do t’i ndihmojmë”, tha Lushtaku.

Po ashtu, nënkryetari ka shprehur preferencën e tij për Gent Cakajn, pasi ky i fundit po përmendet si kandidat i mundshëm.

“Gent Cakaj është njeri i respektueshëm dhe mendoj që është mjaft serioz, por është shumë i respektueshëm për PDK-në”.

“Zoti Veseli respektohet shumë nga PDK-ja, por momenti është që të ketë kryetar të partisë. Dhe me ushtrues detyre është problem që të udhëhiqet një parti kaq e madhe si PDK-ja”.

Megjithatë, sipas sekretarit për çështjet elektorale në PDK, Betim Gjoshi, ende nuk ka zyrtarisht asnjë kandidaturë për kreun e PDK-së.

Ne nuk kemi parë zyrtarisht deri më tani tek asnjë person vullnet që të garojë. Normal që PDK-ja ka shumë njerëz që mund të jenë kandidatë të mundshëm. Gara është e hapur dhe është e drejtë e secilit për me garu, nuk kisha deshtë të spekulojë me emra”, ka theksuar Gjoshi për AP-në.

Sipas tij, zgjidhja e kryetarit të ri ka qenë vendim i shumicës së kryesisë, derisa shton se “PDK-së i duhen energji të reja”.

Në anën tjetër, analisti politik Fitim Salihu, potencon se ky është një hap i duhur për PDK-në.

Salihu konsideron që PDK-ja ka nevojë për figura të reja në krye të saj.

PDK-ja ka nevojë për freski në këtë stad. Konventa e zgjedhja e kryetarit do të ishte dinamizim i opozitarizmit”, theksoi Salihu.

Ndërkohë emrat më të përfolur për ta drejtuar PDK-në janë të ish-ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj. Por, asnjëri prej tyre as nuk e ka pohuar, as mohuar.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, në të cilat PDK-ja kandidoi për kryeministër me Enver Hoxhajn, doli e dyta, me 17 për qind të votave. Me këtë përqindje të votave, PDK-ja arriti të siguronte 19 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Në këto zgjedhje, pesë më të votuarit e PDK-së janë: Enver Hoxhaj, Uran Ismaili, Bedri Hamza, Mergim Lushtaku dhe Memli Krasniqi. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, kishte marrë 100 mijë e 468 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore