Lajme

Me moton “Boll ma”, protestohet para Qeverisë kundër dhunës ndaj grave


Foto nga protesta kundër dhunës së grave nga Artpolis

Protesta para objektit të Qeverisë së Kosovës kundër abuzimit dhe dhunës ndaj grave, e organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet, Artpolis, u zhvillua në qetësi.

Kjo për shkak se, dhuna në familje ndaj grave dhe vajzave “po durohet në heshtje”.

Foto nga protesta kundër dhunës së grave

Një numër i madh i grave dhe vajzave të veshura në të bardha, kanë marshuar drejt Qeverisë së Kosovës, me moton ““BOLL MA – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”.

Foto nga protesta kundër dhunës së grave

“Fakti që po e bëjmë këtë protestë në heshtje pa fjalë, vetëm me pamjen tonë është se shumica e grave në Kosovë, duhet të durojnë dhunën në heshtje dhe shpesh komuniteti, familja e institucionet e mbyllin derën dhe nuk duan të dëgjojnë, i mbyllin sytë dhe nuk duan t’i shohin”, është shprehur Zana Hoxha, drejtoreshë e Qendrës për Art dhe Komunitete, Artpolis.

Zana Hoxha, drejtoreshë e Qendrës për Art dhe Komunitete, Artpolis

“Heshtja jonë duhet të jetë edhe një zë i thirrjes për drejtësi për raportim, për demantim të gënjeshtrave që shpesh nuk u besohet grave, kërkojmë nga institucionet që të punojnë më shumë në parandalim, t’i marrin kërkesat e grave seriozisht”, shtoi ajo.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave kishte thënë se hapja e fushatës së 16 ditëve të aktivizimit “është thirrje për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave, për të fuqizuar zingjirin institucional dhe për të shpëtuar jetën e çdo gruaje apo vajze pa dallim moshe apo etnie”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ai para mediave kishte theksuar se luftimi i dhunës ndaj grave është prioritet i qeverisë sepse sipas tij, dhuna ndaj grave nuk është çështje private, “por çështje e sigurisë publike, shoqërore, kombëtare, e mbrojtjes së jetës dhe drejt njerëzore fundamentale”.

“Luftimi i dhunës ndaj grave do të jetë prioritet i yni i edukimit dhe formimit cilësor si parakushti ndryshimit të normës kulturore, fillimisht përmes qasjes së barabartë për të gjithë fëmijët në edukimin cilësor parashkollor, zvogëlimin e hendeqeve të pabarazive shoqërore, me një qëllim përfundimtar, krijimin e vlerave qytetare që në vegjëli”, ishte shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore