Shqipëria

Më 3 dhjetor hidhet shorti për anëtarët e KED-it


“Ditën e premte, datë 3 dhjetor 2021, ora 11:00, në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2022”.

Kështu u njoftua nga Presidenca të mërkurën e 24 nëntorit. Më tej shkruhej se rregullat e hollësishme për hedhjen e shortit janë të miratuara me Vendim Nr. 404 të vitit 2019.

“Në momentin e hedhjes së shortit, sipas ligjit, për zgjedhjen e anëtarëve të KED, ata magjistratë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj do të monitorohen nga Institucioni i Presidentit”, bëhej me dije në njoftim.

Po ashtu një ftesë ka shkuar dhe për Avokatin e Popullit për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit.

Përveç këtij të fundit Presidenti i Republikës ftoi Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit përmes një përfaqësuesi të caktuar prej tyre.

Procedura e hedhjes së shortit do të jetë publike dhe do të transmetohet live përmes mjeteve të informimit publik, medias televizive, medias online etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore