Shqipëria

McGonigal-Rama, Senatori amerikan i konsideron “të rënda” akuzat e opozitës


Një senator amerikan siguroi të enjten e 25 majit se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve “kurrë nuk kanë qenë më të mira” dhe nuk ngurroi të cilësonte akuzat e opozitës për lidhjet mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal si “të rënda”.

“Sigurisht që nuk më shqetësojnë marrëdhëniet shqiptare. Ato kurrë nuk kanë qenë më të mira. Këto janë akuza të rënda, por tashmë janë pjesë e një hetimi penal që po vijon aktualisht. Si anëtarë të Senatit të Shteteve të Bashkuara, ne zakonisht jemi shumë të kujdesshëm për të mos komentuar mbi tema që janë ende nën hetim, qoftë për qytetarët amerikanë apo njerëzit e kombeve të tjera. Po monitorojmë situatën dhe presim përfundimin e saj”, u shpreh Senatori Chris Murphy për transmetuesin A2 CNN.

Sipas tij, Shqipëria ka bërë një sukses të jashtëzakonshëm në përpjekjet e saj kundër korrupsionit.

“Sigurisht që ka ende reforma për t’u zbatuar, por për momentin, ne kemi parë një zhvillim të dukshëm në sistemin ligjor, me largimin e atyre që ishin brenda sistemit dhe donin të përfitonin nga pozicionet e tyre dhe ky është një tregues i qartë se ky vend është i vendosur të luftojë korrupsionin”, shtoi Murphy.

Madje, ai deklaroi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të shkojnë nëpër botë duke u shtirur si të patëmetë”.

“Demokracia jonë gjithashtu ka të meta”, garantoi senatori amerikan për A2 CNN. “Pra, një nga arsyet që ne jemi këtu është të punojmë për çështje të përbashkëta, në mënyrë që më shumë njerëz të votojnë në zgjedhje dhe abuzuesit të ndëshkohen sa më ashpër”.

McGonigal dhe akuzat e opozitës

Opozita e akuzon Ramën se “ka korruptuar Charles McGonigal”, një ish-zyrtar i lartë i kundërzbulimit të FBI-së.

Ky i fundit, akuzohet në Shtetet e Bashkuara se ka fshehur nga FBI-ja detajet e një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me një ish-zyrtar të inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i kishte dhënë të paktën 225 mijë dollarë.

Vetë Rama e ka pranuar takimin me McGonigal, por ka mohuar akuzat se i ka dhënë para ose trajtim preferencial.

Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, akuzohet në SHBA për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska, si edhe për falsifikim dokumentesh dhe deklarime të rreme.

Po ashtu, McGonigal rezulton të jetë takuar më parë edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kjo gjë sipas demokratëve, duhet hetuar.

Më herët, ishte ish-kryeministri Sali Berisha, ai i cili mbajti një qëndrim të radhës mbi çështjen e Charles McGonigal, duke thënë se si ish-zyrtari i lartë i FBI-së, ka edhe të tjerë në SHBA dhe Evropë.

Berisha gjithsesi, e ka akuzuar kreun e Qeverisë shqiptare, se me McGonigal, Rama ka pasur si qëllim asgjësimin e opozitës shqiptare.

“McGonigal u përdor gjithashtu dhe për afera korruptive të tjera, për licenca. Ai u shpërblye me 225 mijë dollarë thuhet në dokument, me 500 mijë dollarë nga një bakë e Qipros dhe me miliona thuhet gjerësisht”, shtonte më tej Berisha.

McGonigal, u hetua fillimisht, më pas arrestua e më tej ende u lirua dhe po gjykohet në liri me kusht, lidhur me deklarime të rreme, falsifikim dokumentesh dhe lidhjet me oligarkun Oleg Deripaska.

Në Shqipëri gjithsesi, edhe pse akuzohet për lidhje me kryeministrin Rama, McGonigal e daton aktivitetin prej vitit 2007, kur në pushtet ishte asokohe Partia Demokratike dhe në krye të Qeverisë, Sali Berisha.

Ai figuron si administrator i një kompanie (LAWOFFICE & INVESTIGATION), e cila është themeluar në vitin 2007, kohë kjo kur si kryeministër i vendit, shërbente kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Kjo kompani, me status momental rezulton si e pezulluar në vitin 2019.

Ajo ka si aksionerë shtetasin Shefqet Dizdari, me 25% të aksioneve, vetë McGonigal-in, shtetasin amerikan Mark Thomas Rossini, i cili po ashtu ka qenë një ish-agjent i FBI-së dhe Agron Nezajn.

Ky i fundit është akuzuar ndërkohë si ndërmjet i Ramës me ish-zyrtarin e lartë amerikan.

Mirëpo, një akuzë të tillë, është mohuar nga vetë Rama, i cili reagoi mbi çështjen dhe tha se përveçse me McGonigal-in kishte thjesht lidhje me miqësore, edhe me Nezajn, nuk ka folur asnjëherë për çështje biznesi, por ka pasur takime miqësore dhe krejtësisht pa interes.

Madje, ai e ka përforcuar këtë, duke thënë se Neza vjen nga Lëvizja Demokratike dhe ka qenë person shumë i afërt me Azem Hajdarin, duke lënë të kuptohet se nuk ka lidhje për çështje biznesi me të.

Vetë Neza, përmendet në dosjen e McGonigal si “Personi A” dhe përshkruhet si ish-funksionar i Shërbimeve Inteligjente shqiptare.

Thënë kjo, vetë Rama nuk e ka mohuar njohjen me amerikanin dhe takimet me të, të cilat kanë qenë krejtësisht miqësore dhe nuk ka pasur detyrim për t’i deklaruar.

Por, vetë McGonigal, i cili e ka pasur një detyrim për t’i deklaruar ato, nuk e ka bërë kurrë këtë gjë. Një skenar të tillë, e ka zbatuar edhe me politikanë të tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, apo deri edhe në Austri.

Teksa, për hapjen e biznesit në kohën kur Berisha ka qenë kryeministër, nuk ka asnjë të dhënë paraprake se si ata të dy mundet apo jo të jenë të lidhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore