Kosova

Mbyllet kampi Liya në Bondsteel: Shumica e qytetarëve afganë janë transferuar në vende të ndryshme


Grupi i afganeve të ardhur në Kosovë.

Kampi i cili shërbente si shtëpi për qindra afganët e strehuar në Kosovë, është mbyllur.

Ky kamp i cili është ngritur në bazën amerikane Bondsteel në Ferizaj, Liya pas dy vjetësh ka mbyllur dyert.

Nga ministria e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se për arsye të sigurisë dhe privatësisë së afganëve, nuk mund të zbulojnë lokacionin se ku gjenden.

Por nga ky dikaster u konfirmua se një numër i vogël i tyre vazhdon të mbetet në Kosovë.

“Siguria për këta qytetarë nuk dallon nga siguria e përgjithshme për qytetarët e Kosovës dhe, aktualisht, nuk ka asnjë shqetësim në këtë aspekt. Ata mund të lëvizin në vendin tonë, bazuar në ligjet në fuqi, dhe nuk kanë kufizime të veçanta”, thuhet në një deklaratë të MPB-së dhënë Radios Evropa e Lirë.

Në bazë të marrëveshjes me SHBA-në, në Kosovë kanë hyrë gjithsej 1 mijë e 893 afganë.

“Shumica e qytetarëve afganë, deri më tani, janë transferuar në vende të ndryshme të NATO-s dhe në SHBA”, tha MPB-ja.

Afganet në kampin Bondsteel në Kosovë.

Marrëveshja SHBA-Kosovë për këtë çështje fillimisht ishte për një vit, ndërsa u zgjat edhe për një vit tjetër në gusht të vitit 2022.

SHBA-të sollën afganët në Kosovë, shumica prej tyre familje, dhe i vendosën në Kampin Bondsteel, pasi ishin ndaluar edhe për një proces shtesë vlerësimi gjatë Vetting-ut që u bëhej.

Procesi përfshinte intervista dhe kontrollim të historisë kriminale. Të tjerë që kishin green cards, apo shtetësi amerikane ishin lënë direkt të kthehen në SHBA.

Kishte mes familjarëve që kishin vetë mundësi të shkonin në SHBA, por jo edhe pjesa tjetër e familjes, prandaj kishin vendosur të qëndronin të gjithë bashkë.

Departamenti Amerikan i shtetit nuk ofronte arsyet e moslejimit dhe shumica prej afganëve thonë se nuk e dinë pse janë diskualifikuar.

Afganët e vendosur në kamp ishin të fushave të ndryshme nga biznesmen e deri te ish shefi i një agjencie të inteligjencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore