Lajme

Mbretëria e Bashkuar ua heq vizat personelit të FSK-së për aktivitete ushtarake


Ejup Maqedonci dhe Steve Forrest

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të martën, njoftoi se personeli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, tani e tutje do të mund të udhëtojnë pa viza në Mbretërinë e Bashkuara, por vetëm për aktivite zyrtare dhe ushtarake.

“Sot, nga nënkoloneli Steve Forrest, këshilltar bilateral në MM u njoftova me vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për udhëtim pa viza për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar”.

Ministri Maqedonci ka thënë se vendimi vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes që udhëhiqen nga Mbretëria e Bashkuar.

“Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka luajtur rol kyç në procesin e shtetëndërtimit dhe fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes të vendit tonë, në veçanti. Kjo është edhe një dëshmi për kredibilitetin që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon te partnerët tanë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore