Lajme

Mblidhet Këshilli i Sigurisë: Mijëra dronë iranianë i ka Serbia – në vazhdimësi shfaqë sjellje agresive ndaj Kosovës


Të dielën e 14 prillit me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti u mblodh Këshilli i Sigurisë dhe sipas njoftimit për media të Qeverisë, temë qendrore ishte sulmi i Iranit ndaj shtetit të Izraelit, dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, sulmi u krye me dronë Shaheed, prodhim iranian dhe mijëra të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaqë sjellje agresive ndaj Kosovës, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë.

“Institucionet e Sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar, dhe janë duke e monitoruar gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë”.

Një ditë më parë, kryeministri Kurti kishte reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, duke potencuar se ky është një akt i paprecedentë që përbën një rrezik të madh për destabilizimin e gjithë rajonit.

“E dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky veprim i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e tërë rajonit. Tash, më shumë se kurë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Ndryshe, forcat izraelite dhe aleate rrëzuan “shumicën dërrmuese” të qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani, gjatë një sulmi të paprecedentë kundër Izraelit.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

Sulmi kundër Izraelit vjen, po ashtu, në kohën e tensioneve midis Iranit dhe Perëndimit, lidhur me luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore