Lajme

Mbi 1700 aktivistë në mbrojtje të mjedisit të vrarë në dekadën e fundit


Gjatë dekadës së fundit janë regjistruar mbi 1 mijë e 700 vrasje të aktivistëve në mbrojtje të mjedisit, një mesatare me një vrasje thuajse çdo dy ditë.

Të vrarë nga grupet e krimit të organizuar dhe qeveritë e tyre, të paktën 1 mijë e 733 mbrojtës të mjedisit u vranë midis viteve 2012 dhe 2021, sipas shifrave të Global Witness.

Raporti ka nxjerrë Brazilin, Kolumbinë, Filipinet, Meksikën dhe Hondurasin si vendet më vdekjeprurëse.

OJQ-ja e ka publikuar raportin mbi vrasjet e mbrojtësve të mjedisit në mbarë botën çdo vit që nga viti 2012, pas vrasjes së Chut Wutty, një ambientalisti kamboxhian, i cili punoi për hetimin e prerjeve të paligjshme.

Vrasjet kanë prekur në mënyrë disproporcionale vendet me të ardhura më të ulëta dhe komunitetet indigjene. 39 për qind e viktimave ishin nga kjo demografi, pavarësisht se përbën vetëm pesë për qind të popullsisë së botës.

Industritë minerare dhe nxjerrëse, prerja e drurëve dhe agrobiznesi ishin nxitësit më të zakonshëm të një vrasjeje kur dihej shkaku.

Autorët e raportit kanë paralajmëruar se shifrat ishin një nënvlerësim domethënës dhe nuk kapin shkallën e plotë të problemit, me vdekjet që ndodhin shpesh në ekosisteme thelbësore për të shmangur ndikimet më të këqija të krizës klimatike.

Raporti ka vënë po ashtu në dukje se ka pasur disa fitore të rëndësishme për aktivistët mjedisorë.

Në Afrikën e Jugut vitin e kaluar, komunitetet indigjene nga Bregu i Egër i Kepit Lindor të Afrikës së Jugut korrën një fitore ligjore ndaj Shell, duke e detyruar kompaninë të ndalojë kërkimin e naftës në zonat e shumimit të balenave. Vendimi u la në fuqi në fillim të këtij muaji.

“Ka pasur disa fitore të rëndësishme nga mbrojtësit e mjedisit gjatë viteve të fundit, duke përfshirë edhe kundër kompanive të mëdha shumëkombëshe”, ka thënë autori i raportit, Ali Hines.

Më shumë se dy të tretat e vrasjeve të njerëzve që përpiqeshin të mbronin pyjet, lumenjtë dhe ekosistemet e tjera midis viteve 2012 dhe 2021 ndodhën në Amerikën Latine, me 342 të vrarë në Brazil dhe 322 në Kolumbi.

Në Meksikë, 154 u vranë dhe 117 të tjerë u vranë në Honduras. Filipinet ishin një tjetër vend shqetësues, me 270 vrasje.

Sakaq, raporti u kërkon qeverive të krijojnë një hapësirë ​​të sigurt civile për mbrojtësit e mjedisit dhe të promovojnë përgjegjësinë ligjore të kompanive, duke ndihmuar në sigurimin e tolerancës zero për dhunën kundër aktivistëve.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore