Jetesë & Stil

Martohen edhe zyrtarisht, Rezarta Shkurta dhe Ermal Hoxha


Rezarta Shkurta, Ermal Hoxha

Artistja e njohur shqiptare, Rezarta Shkurta, pas shumë vjetësh bashkëjetesë me partnerin e saj, Ermal Hoxhën, kanë vendosur që me një ceremoni solemne ta kurorëzojnë dashurinë e tyre edhe me martesë.

Me këtë rast, Rezarta dhe Ermali, kanë organizuar një aheng unik pranë detit, ndërsa të ftuar ishin të afërmit e çiftit, miq e familjarë.

Por, mysafirja më e veçantë në festën e martesës së yllit të hitit “Gjysma ime”, patjetër që ishte vajza e saj, Hera Hoxha, e cila është fryt i dashurisë nga romanca prej më shumë se një dekade me Ermalin.

Hera Hoxha – Vajza e Rezarta Shkurtes.

E veshur me një fustan të bardhë bashkë me sako dhe flokët e saj kaçurrela, Hera, dukej e bukur e me stil. Madje, e vogla e çiftit dukej e lumtur dhe e emocionuar në imazhet e ndara në rrjetet sociale.

Rezarta Shkurta dhe Ermal Hoxha.

Për ditën e veçantë të martesës, Rezarta Shkurta, kishte zgjedhur një fustan elegant të nusërisë, i cili përfshinte një të hapur që i ekspozonte këmbën si dhe një vello të gjatë dhe shkëlqyese.

Fustanin e veçantë për Rezartën ia kishte disenjuar e motra, Eljana Shkurta, ndërsa për dukjen punën ia kishte besuar artistes së grimit, Elona Balaj.

Festa duket të ketë qenë private dhe Shkurta akoma nuk ka publikuar ndonjë video nga ahengu i organizuar deri në detaje.

Në ato pak shkrepje të ndara me mbi 1 milionë ndjekësit e saj, Rezarta, ka publikuar imazhe duke e shijuar ditën e marteses , ndërsa bashkë e të lumtur u panë edhe tashmë burri i saj, Ermali me nënën e tij, Teuta Hoxhën.

Teuta Hoxha dhe Ermal Hoxha.

“Një princ rritet nga një mbretëreshë”, ka shkruar Rezarta në videon e publikuar të Ermalit dhe Teutës.

Kujtojmë se bashkëshorti i Rezarta Shkurtës, Ermal Hoxha, është nipi i Enver Hoxhës, udhëheqësit të parë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe ish Sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë si dhe gruas së tij, Nexhmije Hoxha – Xhuglini.

Ermal Hoxha është i biri i Ilir Hoxhës dhe Teuta Hoxhës, të cilët janë cilësuar si të preferuarit e çiftit, Enver dhe Nexhmije Hoxha, madje kjo e fundit pjesën e fundit të jetës e kishte kaluar me relacione të ngrohta familjare, teksa një dashuri të veçantë gëzonte edhe për Herën e vogël.

Në anën tjetër, ani pse Rezarta Shkurta, gëzon popullaritet të gjerë në trojet shqipfolëse falë këngëve hite që ajo dikur publikonte, dhe së fundmi me fotografitë për gratë shtatzëna dhe foshnje të porsalindura, bashkëshorti i saj, Ermal Hoxha, nuk ka preferuar ndonjëherë të jetë mes figurash publike.

Ermali preferon privatësinë, kështu duke qenë shumë i rezervuar në daljet e tij publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore