Lajme

“Paratë e Beogradit në Kosovë” – Kush kë e kontrollon?


Foto nga Albanian Post

Kryetari i Komisionit hetues parlamentar për Energji, nuk e ka ndërmend ta ftojë për të raportuar prapë ambasadorin e Kosovës, Martin Berishajn, ndonëse emri i këtij të fundit është përmendur sërish nga mediat sllovene se është i përfshirë në transaksione të dyshimta në vlerë prej 100 milionë euro nga kompania energjetike sllovene GEN-I, e udhëhequr dikur nga kryeministri aktual slloven, Robert Golob.

Por, edhe po të donte, Driton Selmanaj, thotë për Albanian Post se nuk do të mundte, sepse sipas rregullave Berishaj nuk ka mundësi të ftohet për herën e dytë për të raportuar.

Gjithashtu, komisionit i ka përfunduar mandati dhe tashmë janë në përpilim të raportit.

“Ne nuk mund të ftojmë më, sepse komisionit i ka përfunduar mandati. Se shpejti raportin e komisionit ose do ta trajtojmë në seancë ose e publikojmë në medie”, tha Selmanaj.

Por, për ish-ambasadoren e Kosovës në Itali, Alma Lamën, “skandali i ambasadorit Martin Berishaj është i nivelit ndërkombëtar dhe i ka rrënjët e thella”.

“Siç raportojnë mediat sllovene, kompania publike që i ka dhënë atij para, ka financuar edhe fushatën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Prandaj, Martin Berishaj po mbrohet nga kryeministri, presidentja dhe ministrja e jashtme, sepse janë të implikuar në këto financime, siç raportojnë mediat e huaja. Tani nuk mjafton më shkarkimi i ambasadorit”, thekson Lama për AP.

Tani sipas saj, duhen hetime për të parë nëse kryeministri aktual ka marrë para nga Beogradi dhe nëse vërtetohet, “të japë ai dorëheqje”.

“Duhet ta kemi parasysh se marrja e parave të Beogradit nga cilido subjekt politik kosovar, do të përbënte tradhti të lartë ndaj vendit”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, për ish-ambasadorin e Kosovës në Slloveni, Anton Berishën, Qeveria duhet ta shkarkojë Berishajn, derisa të zbardhet rasti ndaj tij.

“Ne kuptimin formal procedura e shkarkimit iniciohet nga qeveria me miratimin e presidentes. Ne kuptimin përmbajtjesor ashtu siç janë duke rrjedhur ngjarjet, nuk është e qartë se kush kënd e shkarkon, varet se kush i ka të dhënat”, vuri në pah ai.

Megjithatë, konsideron se ende nuk është e qartë se kush posedon të dhënat “për të shkarkuar tjetrin”.

“Besoj që janë të ndërlidhura gjërat në mënyrë zinxhirore”, thotë ai.

Po ashtu, pas publikimit të radhës nga mediumi slloven Prava, të hënën kishte reaguar edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e cila vazhdon të jetë e befasuar që Martin Berishaj nuk po shkarkohet, përkundër skandaleve të publikuara në mediat sllovene.

“Kryeministri, në këto rrethana pa një zor të madh nuk e mbanë në detyrë Martinin”, shkroi Çitaku.

Çfarë zbuloi Prava?

Mediumi slloven Prava ka publikuar një shkrim të gjatë me disa të dhëna të siguruara, të cilët pretendojnë se kompania energjetike sllovene GEN-I, e udhëhequr dikur nga kryeministri aktual slloven, Robert Golob, ka përdorur një taktikë fiskale për të shpërlarë parë.

Sipas mediumit, kompania qendrore u ka dërguar para degëve të veta në vende si Bosnja, Serbia e Shqipëria, dhe më pas ka kontraktuar përmes atyre kompanive persona të njohur të cilët do të paguheshin “për shërbime”, të cilët do t’i merrnin ato para, por vetëm për t’i rikthyer tashmë sërish tek padronët e vërtetë e më pas ato të dërgohen nëpër parajsa fiskale apo bursa të ndryshme.

Një nga këta persona që ka kryer role të tilla të lëvizjes së parave thuhet të jetë Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci dhe shtetas slloven.

Të rejat e fundit për rastin e Martin Bershajt dhe Robert Golobit: Bëhet fjalë për “gati 100 milionë euro”

 Historia e skandalit dhe reagimet në Kosovë

Media sllovene TV Planet raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj ishte deklarua vetëm në Facebook atëherë. Pati mohuar se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Jansha dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.

Në të kaluarën, para se të futej në politikë, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.

GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.

Albanian Post më vonë kishte kuptuar se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.

Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se e kanë thirrur ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportojë për këtë rast.

Qysh nga atëherë nuk u kuptua nëse Berishaj kishte ardhur për të raportuar para presidentes, apo jo.

Albanian Post pati realizuar edhe një intervistë me gazetarin slloven, Primoz Cirman. Ai tha se skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri aktual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifikuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte publikuar në llogarinë e tij në Facebook një status, ku thoshte se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj?”.

Portali inFokus publikoi më pas një shkrim, ku tregohej se si Kompania GEN-I me zyrë në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.

Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë.

Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.

Më vonë, komisioni u themelua. Berishaj pas një shtyrje, erdhi në raportim, por gjë s’u morë vesh.

Anëtarët e komisionit e pyeten për shumicën e dyshimeve, por shumica e përgjigjeve veçse ngritnin dyshime të reja.

Si përfundim, Berishaj kreu mbledhjen dhe u besua se gjithçka rreth këtij rasti mori fund, derisa ri-filluan lajmet në Slloveni, se po hetohet edhe vetë kryeministri slloven, lërmë Berishaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore