Shqipëria

2024, “Viti i Gjuhës Shqipe”


Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ka shpallur vitin 2024 si “Viti i Gjuhës Shqipe”.

“Si Ministri e Arsimit dhe Sportit, kemi vendosur që viti 2024 të jetë një vit kushtuar gjuhës shqipe”, ka deklaruar ajo.

Ky vendim tregon rëndësinë që arsimi dhe gjuha shqipe kanë në zhvillimin e identitetit kombëtar.

Ajo ka thënë se kjo ditë, drejton vëmendjen te rëndësia e edukimit si ura që përçon vlerat që bashkojnë kombet, që ushqen paqen dhe progresin mes vendeve.

Investimi në arsim mbetet prioritet mbi prioritetet, ka theksuar ministrja.

Sipas saj, përmes arsimit mundemi të rrisim zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, të nxisim inovacionin dhe të mbështesim më tej kohezionin social.

“Arsimi qëndron në themel të progresit dhe në shkollat tona ne kemi të gjithë potencialin e duhur për të çuar vendin tonë përpara”, ka vijuar Manastirliu.

Për Vitin e Gjuhës Shqipe, ajo ka planifikuar një sërë aktivitetesh në rang kombëtar dhe mbarëkombëtar ku do të përfshihen të gjitha shkollat në vend por edhe në diasporë.

“Do të kemi një kalendar të pasur aktivitetesh, me nisma dhe projekte që do të fillojnë këtë vit dhe gjithashtu me projekte të cilat i finalizojmë së bashku në shkolla, universitete, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me pjesëmarrjen e diasporës shqiptare në botë”, ka thënë Manastirliu.

Aktivitetet do të kulmojnë me 22 Nëntor në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip.

“Do të kemi aktivitete promovuese në nëntor për Ditën e Alfabetit Shqip, e cila për herë të parë do të jetë festë zyrtare në vitin 2024, pra në këtë vit. Të mos harrojmë asnjëherë se, gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi por mbi të gjitha është një simbol i unitetit dhe fuqisë tonë ripërtëritëse si komb”.

Dita e Alfabetit, festë kombëtare në Shqipëri

Ndërkohë, Dita e Alfabetit – 22 nëntori – do të jetë tashmë ditë feste zyrtare në Shqipëri.

Lajmin e ka bërë me dije ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili pas një mbledhjeje të Qeverisë pak ditë më parë tregoi se ishte marrë vendimi qeveritar për ta kthyer 22 nëntorit në festë kombëtare.

Sipas Hasanit, kjo ditë shënjon një ngjarje shumë të rëndësishme për shqiptarët, pasi reflektohet jo vetëm brenda kufijve të shtetit, por edhe në rajon e më gjerë, ku gjithë shqiptarët jetojnë.

Unifikimi nën një gjuhë zyrtare shqipe ka qenë ndër hapat më të mëdhenj të ndërmarrë, me qëllim arritjen faktike të një bashkimi kombëtar gjuhësor, i cili i lidh shpirtërisht dhe faktikisht edhe trojet shqiptare me shtetin mëmë.

Më parë, e kishte paralajmëruar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, se një vendim i tillë mund të merrej, gjatë Samitit të Diasporës.

Ai bëri me dije më 23 nëntor se e kishte vënë në dijeni Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, që Dita e Alfabetit të njihej si festë kombëtare në Shqipëri, ashtu siç është edhe në Maqedoninë e Veriut.

Ai i kërkoi po ashtu presidentes Vjosa Osmani, që këtë t’ia propozonte edhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Me një sugjerim shumë të arsyeshëm të presidentit, dua ta kornizoj këtë fjalë edhe në funksion të frymës së këtij samiti por edhe në funksion të asaj që ka rëndësi të jemi bashkë të ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha Rama asokohe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore