Lajme

Mali i Zi ekstradon “Mbretin e kriptovalutave” në Korenë e Jugut


Do Kwon

Gjykata e Lartë në Podgoricë ka vendosur që Do Kwon, i njohur si “mbreti i kriptovalutave”, të ekstradohet në Korenë e Jugut.

Siç ka raportuar media malazeze “Vijesti”, Gjykata e Apelit anuloi më parë vendimin e Gjykatës së Lartë për ekstradimin e Do Kwon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Vendimi i shkallës së parë të Gjykatës së Lartë lejoi ekstradimin e shkurtuar të Do Kwon-it, për efekt të ndjekjes penale për disa vepra penale me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa ekstradimi i shkurtuar i Do Kwon-it u refuzua me kërkesë të Kores e Jugut.

Do Kwon dhe partneri i tij i biznesit u arrestuan më 23 mars të vitit të kaluar në aeroportin e Podgoricës kur përdorën pasaporta të falsifikuara të Kosta Rikës gjatë kontrollit të pasaportave në një fluturim për në Dubai.

Në Mal të Zi, “mbreti i kriptovalutave” ishte akuzuar se kishte financuar fushatat e disa politikanëve, përfshirë atë të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Mirëpo, Milatoviç kishte mohuar akuzat në drejtim të tij se gjatë fushatës presidenciale – ku garonte kundër dhe që arriti ta mposhtë veteranin e politikës malazeze, Milo Gjukanoviç – është financuar në çfarëdo mënyre nga shtetasi korean Do Kwon.

“Të gjitha të dhënat financiare janë të vërteta dhe të disponueshme për publikun”, thoshte Milatoviç.

Përveç financimit, ai gjithashtu kishte mohuar të ketë ndonjë “lidhje personale apo ndonjë lidhje tjetër me Do Kwon”.

Do Kwon dyshohej për një mashtrim prej 40 miliardë dollarësh në botën e kriptomonedhave.

Ai i kishte dërguar një letër nga burgu në një sërë adresash të institucioneve malazeze, në fund të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, ku pretendohej lidhja e tij edhe me liderin e partisë së presidentit të Malit të Zi, lëvizjes qytetare “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, aktualisht kryeministër malazez.

Madje, ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me të pranuar letrën nga shtetasi korean – të cilën e kishte përcjellë menjëherë në Prokurori – pati thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit për Sigurinë Kombëtare malazeze, me rendin e ditës për përfshirjen e mundshme mes shtetasit të Koresë së Jugut, Do Kwon, i dyshuar për përvetësim në tregtinë e kriptomonedhave, dhe liderit të “Evropa Tani”, Milojko Spajiç.

Abazoviç thërret Këshillin e Sigurisë pas letrës ku pretendohen lidhjet e liderit të “Evropa Tani” me “mbretin e kriptomonedhave”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore