Sport

Lukaku dhe Aubaeyang nuk janë pjesë e listës për turneun parasezonal të Chelsea-t


Romelu Lukaku dhe Pierre-Aimeric Aubaeyang nuk janë pjesë e listës së futbollistëve të Chelsea-t të ftuar për turneun parasezonal që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi për lënien jashtë listës të dy sulmuesve ishte pak a shumë i pritshëm nga londinezët, duke qenë se të dy pritet të largohen nga klubi në ditët e ardhshme.

Romelu Lukaku me shumë mundësi do të transferohet te Juventus-i, ndërsa Pierre-Aimeric Aubaeyang flitet që mund të transferohet te skuadra franceze, Marseille, edhe pse për të dy ka oferta joshëse nga Arabia Saudite.

Përveç dy sulmuesve, jashtë listës janë edhe Callum Hudson-Odoi, Hakim Ziyech dhe Benoit Badiashile, me këtë të fundit që është i lënduar.

Pra, nga lista janë përjashtuar futbollistët që nuk do të jenë pjesë e planit të trajnerit Mauricio Pochetino-s për sezonin e ardhshëm, por edhe futbollistët që do të udhëtojnë në SHBA, nuk e kanë të garantuar qëndrimin në klub.

Ky turne është një provë për shumë futbollistë, pasi në përfundim të periudhës parasezonale trajneri argjentinas do të vlerësojë se cilët futbollistë do të qëndrojnë në një skuadër.

Në këtë kontekst, edhe sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja, që sapo është kthyer në fushë pas një dëmtimi të rëndë duhet të tregojë se sa vlen para syve të Pochettino-s gjatë qëndrimit të skuadrës në Amerikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore