Lajme

Lufta ndizet në Donbas, NATO organizon ushtrime kibernetike në Estoni


Një organizatë kibernetike e akredituar nga NATO do të kryejë ushtrimet më të mëdha dhe më komplekse të mbrojtjes kibernetike në botë.

Qendra e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s, e cila është me bazë në Estoni organizon eventin e quajtur “Mburojat e Mbyllura” (Locked Shields).

Kjo e fundit synon të rrisë aftësitë e ekspertëve të sigurisë kibernetike që mbrojnë sistemet kombëtare të IT-ve dhe infrastrukturën kritike nën sulme në kohë reale.

Lajmin e bën të ditur kompania mediatike “Bloomberg”.

Më shumë se 2 mijë njerëz nga 32 vende, duke përfshirë Ukrainën, pritet të marrin pjesë.

Ngjarja e këtij viti vjen në mes të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, në të cilën hackerimi ka pasur një rol të vazhdueshëm.

Hackerët rusë të sponsorizuar nga shteti janë akuzuar se kanë sulmuar agjencitë qeveritare të Ukrainës.

Kompanitë ukrainase kanë qenë gjithashtu subjekt i sulmeve të rregullta kibernetike, sipas zyrtarëve qeveritarë.

Finlanda raportoi një sulm në faqet e internetit të qeverisë në fillim të këtij muaji.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden paralajmëroi bizneset amerikane që të përgatiten për sulme hakmarrëse kibernetike.

Kjo, si përgjigje ndaj sanksioneve të vendosura kundër Rusisë.

Midis pjesëmarrësve këtë vit do të jenë pesë deri në 10 institucione të mëdha financiare, duke përfshirë Mastercard Inc. dhe Banco Santander SA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore