Shqipëria

Lufta kundër krimit të organizuar do të kalojë nga reformimi i Policisë Kriminale


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi e vuri theksin te reforma e Policisë Kriminale gjatë caktimit të prioriteteve të vitit 2023 për t’u përballur me krimin e organizuar.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për mediat me përfaqësues dhe zyrtarë të institucionit të Ministrisë së Brendshme.

“Gjatë vitit 2022 jam shumë i kënaqur me ristrukturimin dhe ndarjen e punës së Policisë Kriminale nga ato që quhen krimet në volum (krimet e lehta) duke u fokusuar te krimet në fushën e narkotikës, krimit të organizuar dhe vrasjet”, u shpreh fillimisht zyrtari shqiptar.

Sipas tij, kjo reformë ka qenë e rekomanduar nga partnerët perëndimorë dhe në bashkëpunim me palën gjermane në veçanti.

“Policia Kriminale nga fillimi i këtij viti do të riorganizohet brenda vetes saj dhe do të shkëputet nga vertikaliteti i zinxhirit komandues të krimeve të lehta”, zbuloi Çuçi.

Thënë kjo, ndarja do të fillojë nga qendra, në strukturën qendrore të Policisë së Shtetit, duke shtrirë të gjithë vertikalitetin sipas drejtorive të posaçme duke ngritur një institucion që do të merret me fushën e lëndëve narkotike, shtoi ministri.

“Kemi ndarë një drejtori të veçantë me narkotikët, që do merret me grupet e organizuara dhe me krimet e rënda. Pra do jenë të ndara në departamente. Unë besoj që ky ristrukturim do i japë shtysë shumë të madhe dhe shumë shpejt do shohim pritshmëri të reja në luftën kundër trafikut njerëzor, bandave të strukturuara”, theksoi zyrtari.

Ai vërejti se gjatë vitit 2022 i është dhënë rëndësi shumë e madhe fiksimit, apo momentit të fiksimit të provave të një ngjarjeje.

Kjo, duke përmirësuar Policinë Shkencore dhe me ngritjen e një databaze me 11 mijë mostra ADN-je për të rritur zbulueshmërinë e krimeve.

Në përmbyllje, Çuçi zbuloi krijimin e një njësie të përbashkët speciale të kontrollit detare për vitin 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore