Shqipëria

Lufta kundër kapjes së shtetit parandalon falimentimin, thotë Meta


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi se vetëm lufta kundër kapjes së shtetit, mund të parandalojë falimentimin e Shqipërisë.

Reagimi i kreut të shtetit erdhi pas publikimit të një video-mesazhi në median sociale “Facebook”.

Meta denoncoi sakaq edhe “grabitjen e mafies së inceneratorëve”.

Kjo, përmes firmave të falsifikuara të qytetarëve që kanë ndërruar jetë prej 5 vitesh.

“Ndërsa për të marrë pensionin u kërkohet pensionistëve që të paraqiten fizikisht për të provuar se janë gjallë, miliona euro të taksapaguesve tanë grabiten nga mafia e inceneratorëve me firma të falsifikuara të qytetarëve, që janë ndarë nga kjo botë prej 5 vitesh”, vëren presidenti.

Sipas tij, krimi dhe kapja e shtetit ka kapërcyer çdo imagjinatë.

“Vetëm lufta e hapur kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë. Koha nuk pret më!”, përmbylli qëndrimin e tij kreu i shtetit.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi verifikimet më 5 korrik pas denoncimit të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi deklaroi se 24 kompani kanë kryer 189 milionë dollarë evazion fiskal të lidhura me inceneratorët.

Më 4 korrik, Kryemadhi paralajmëroi se do t’i paraqesë të tjera prova SPAK-ut, sa i përket çështjes së inceneratorëve.

Sipas saj, janë 24 kompani, të cilat janë të lidhura me njëra–tjetrën dhe dyshohet se kanë kryer evazion fiskal me shtetasin Klodian Zoto, emri i të cilit lakohet me çështjen e inceneratorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore