Lajme

Lladrovci e cilëson Van Damme-n si “mik të shqiptarëve”


Aktori i njohur belg, Jean-Claude Van Damme tanimë gjendet në një vizitë në Kosovë, derisa kësaj radhe, rastin për të pozuar karshi yllit të kinematografisë botërore, nuk e ka humbur dot, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Përmes një postimi në mediat sociale, i pari i Drenasit, ka ndarë me ndjekësit e tij një fotografi me Van Damme, teksa aktorin e ka cilësuar si “mik të shqiptarëve dhe të Kosovës” si dhe e ka vlerësuar “kontributin e tij në favor të popullit shqiptar, kundër propagandës së huaj”.

Madje, Lladrovci postimit i ka dhënë edhe nuanca nacionaliste, përshtatur mënyrës së pozimit – dyshja bashkë, kishin krijuar shqiponjën, shenjën që simbolizon shqiptarët.

“Me artistin e mirënjohur botëror, Jean-Claude Van Damme, mikun e shqiptarëve dhe të Kosovës, në Prishtinë”, ka shkruar Lladrovci.

“Në botë kemi shumë miq që u gjenden pranë nesh, gjatë ballafaqimit të vazhdueshëm me propagandën e huaj. Van Damme ishte pranë dhe shfaqi respekt duke përkrahur Kosovën dhe shqiptarët. Shqiponja e bën dallimin”, ka shtuar ai.

Ylli i filmit “Bloodsport”, pos për talentin e tij në aktrim, njihet edhe për marrëdhëniet e mira me politikanë të ndryshëm, në veçanti me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Jean-Claude Van Damme dhe Vladimir Putin.

Kohë më parë, ai kishte thënë se “prioriteti i parë i Amerikës do të duhej të ishte krijimi i marrëdhënieve me Rusinë”, shkruan TMZ, transmeton AlbanianPost.

Gjithsesi, aktori me nam i filmave aksion, ka arritur në Kosovë të martën e 18 korrikut, teksa ardhja e tij lidhet me promovimin e brendit të orëve “Helfer”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore