Lajme

Lirohen në shtëpi 10 zyrtarët policorë që u lënduan në Veri


Ilustrim

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi, ka thënë për Albanian Post se 10 zyrtarët policorë që kishin marrë lëndime në aksionin kundër kontrabandës në veri të Kosovës, pas trajtimit që kanë marrë fillimisht në Spiralin e Mitrovicës, pastaj në Klinikën Emergjente në Prishtinë janë liruar në shtëpi.

“Ata kanë shenja të lehta në trup dhe u janë bërë kontrollet e tyre. Dhe tashmë para 20 minutash është liruar edhe zyrtari i fundit”, tha Krasniqi.

Njëri nga të lënduarit është edhe Besart Ahmeti, shefi i Njësisë Speciale të Policisë në Prishtinë.

Komandanti i Njësisë Speciale, Amir Gërguri, theksoi për AP se Ahmeti dhe zyrtarët e tjerë policorë “kanë marrë vetëm lëndime të lehta trupore”.

Por, Gërguri nuk ka dhënë më shumë informacione se me çka janë goditur policët që kanë pësuar lëndime.

Ndërkaq Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, gjatë një konference të përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, potencoi se “ka pasur hedhje të granatave luftarake të dorës”.

“Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme drejt zyrtarëve policor, 10 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, 7 prej tyre të nacionalitetit shqiptarë”, ka shtuar ai.

“Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit, po hetohet kjo. Nga 9 lokacione në veri, tetë s’ka mundur të realizohet operacioni se qytetarët kanë penguar zhvillimin e operacionit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore