Lajme

“Liria e medias” nxjerr polakët në protestë


E mërkura e 11 gushtit shënjon një ditë të rëndësishme për demokracinë e Polonisë, pasi parlamenti i vendit do të votojë legjislacionin për “lirinë e medias”.

Më herët, gjatë ditës së martë, mijëra polakë protestuan në mbrojtje të lirive të mediave duke kundërshtuar hartimin e këtij legjislacioni.

Sipas kritikëve ky ndryshim mund të mbyllë një transmetues në pronësi të Shteteve të Bashkuara, i cili është kritik ndaj qeverisë polake.

Votimi për të shtrënguar rregullat mbi pronësinë e huaj të mediave polake kërcënon marrëdhëniet me Washington-in.

Më tej, kjo pritet të thellojë shqetësimin në Bashkimin Evropian mbi standardet demokratike në lindje të bllokut.

Çështje të tilla si pavarësia gjyqësore dhe të drejtat LGBT kanë hapur konflikte mes Poloninë dhe Hungarisë me Brukselin.

“Nëse do të ndodhte (që TVN24 – televizioni publik – humb licencën) … është fundi-nuk ka demokraci, nuk ka liri të fjalës”, tha stilistja 66-vjeçare Iwona Leliwa-Kopystynska.

Pamjet e TVN24 tregonin protestues në çatinë e Ministrisë së Kulturës në Varshavë me pankarta ku shkruhej “Media e lirë” dhe “Polonia pa fashizëm”.

Ndryshimi i Aktit të Transmetimit do të forconte ndalimin e firmave jo-evropiane që kontrollojnë transmetuesit polakë.

“A do të donim që media polake … të merrej pa asnjë rregullore nga e gjithë bota pa asnjë pengesë?”, pyeti më herët gazetarët kryeministri polak Mateusz Morawiecki.

Ndërsa partia Ligji dhe Drejtësia (PiS) e Morawiecki-t thotë se dëshiron të ndalojë vendet si Rusia ose Kina që të marrin kontrollin e transmetuesve polakë, kritikët thonë se synon të kapë TVN24, kanali më i njohur i lajmeve në Poloni, licenca e të cilit skadon më 26 shtator.

Marrë dhe përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore