Lajme

Libani thotë se Hezbollahu ka premtuar se nuk do t’i bashkohet luftës nëse Izraeli “nuk i bie në qafë” vendit


Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bouhabib thotë se qeveria e tij ka marrë garanci nga Hezbollahu se nuk do t’i bashkohet luftimeve nëse Izraeli “nuk i bie në qafë” Libanit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë “Haaretz” dhe “Times of Israel”.

Dje në mëngjes, Hezbollahu lëshoi predha mortajash në vendet ushtarake izraelite në kufirin me Libanin, ndërsa luftimet vazhduan në Izraelin jugor.

Grupi terrorist i mbështetur nga Irani pretendoi se kishte gjuajtur dhjetëra raketa dhe predha në tre pozicione izraelite në rajonin e kontestuar Mount Dov në solidaritet me sulmin e Hamasit.

Grupi libanez tha në një deklaratë se sulmi, duke përdorur “një numër të madh raketash dhe predhash”, ishte në solidaritet me “rezistencën palestineze”.

Ai pretendoi se pozicionet izraelite u goditën drejtpërdrejt.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk raportuan për ndonjë lëndim dhe thanë se u përgjigjën me zjarr artilerie në drejtim të zonës së lëshimeve dhe një sulm me dron kundër “infrastrukturës së Hezbollahut” në zonë.

Sipas një burimi ushtarak, vendi i shënjestruar në sulmin me dron ishte një tendë që grupi terrorist ngriti në territorin izraelit muaj më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore