Shqipëria

Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri, rritje me 52.3% në nëntor


Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në Shqipëri, për muajin nëntor 2021, kanë pësuar rritje me 52,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përkthyer në shifra, kjo përqindje do të thotë mbi 549 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, që kanë hyrë në territorin shqiptar, përgjatë muajit nëntor.

Është ky përfundimi i Institutit të Statistikave (INSTAT) në raportin e publikuar më 22 dhjetor.

Sa i përket numrit të shtetasve të huaj, që kanë hyrë në territorin shqiptar, është 244 mijë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky numër është rritur 64,5%.

Polonia dhe Spanja janë dy shtetet me hyrjet më të larta në Shqipëri – përkatësisht 4,6 herë dhe 4,5 herë.

Ajo që bie në sy është rasti i Greqisë.

Nga shteti fqinj është shënuar rritja më e ulët, me 22,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Ndërsa për hyrjet e shtetasve të huaj, peshën më të madhe e ka zënë shteti i Kosovës.

Sipas publikimit të fundit të të dhënave nga INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit nëntor 2021 janë 593 mijë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, që është shënuar një rritje me 61,9 %.

Shtetas shqiptarë, që kanë dalë nga territori i Shqipërisë, janë rreth 313 mijë.

Ky numër është rritur me 50,4 % nga viti i kaluar, ndërsa për shtetasit e huaj numri është rritur me 77,0 %.

Lidhur me mënyrën e hyrjes në territor ose daljen, transporti nga toka është më i larti.

Ndërsa sa u përket arsyeve të ardhjes së të huajve në Shqipëri, renditen disa.

Ato personale zënë peshën kryesore, pasuar nga arsyet e tjera, si shëndetësore, pushime dhe vizita.

Qëllimet fetare zënë numrin më të ulët për gjitha periudhat.

Mënyrat e udhëtimit janë përmes ajrit, detit, tokës dhe pikave kufitare. Kjo e fundit ka numrin më të lartë të kalimit të shtetasve si për hyrje dhe dalje në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore