Kosova

Latifi: Synojmë t’i zvogëlojmë listat e pritjes në spitale përmes pesë elementeve


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka drejtuar pyetje ndaj ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, se çfarë strategjie po përgatit për zvogëlimin e listave të pritjes dhe çfarë masa do të ndërmerr për keqpërdorimet nga Bordi i SHSKUK-së.

Sipas Haxhiut në Kuvendin e Kosovës ka pasur dy përpjekje për miratimin e ligjit për transplantimin e organeve në legjislaturat e kaluara.

“Për shkak të shpërbërjes së Kuvendit nuk ka arritur të miratohet. Ndërsa ju nuk e keni planifikuar këtë. Cila është arsyeja për mosplanifikimin e këtij ligji kur një draft i tij është i gatshëm nga legjislaturat e kaluara. Prej që është emëruar Bordi i ri i SHSKUK listat e pritjes së pacientëve po rriten përsëri”.

Latifi, u përgjigj duke i sqaruar Haxhiut pesë elementet përmes të cilat synojnë që të zgjidhin këtë problem.

“Për ta zvogëluar këtë pabarazi enorme, unë besoj se mund ta bëjmë nëpërmjet pesë elementeve: krijimi i qendrave ekselente, përgatitja profesionale e kuadrit të lartë dhe të mesëm shëndetësor, shtimi i kuadrove si ato të anestezionit dhe tjerat, nevojat e avancimeve teknologjike në të gjithë sistemin tonë dhe duhet forcuar kujdesi primar shëndetësor si një nga shtyllat më të rëndësishme”, deklaroi Latifi.

Në anën tjetër deputeti nga radhët e PDK-së, bëri të ditur se edhe pritjet e pacientëve janë rritur.

“Lista e pritjes është rritur shumë për procedurat diagnostifikuese, siç është për koronarografia. Nuk justifikohet lista pritjes për procedura diagnostifikuese, Bordi i SHSKUK-së ka qenë duke u marrë me punë të tjera. Ka dhjetëra raportime për keqpërdorime financiare dhe dhjetëra vjedhje. I nderuar ministër, cilat janë masat që keni në plan t’i ndërmerrni në lidhje me raportimet për keqpërdorimet e Bordit të SHSKUK-së dhe për zvogëlimin e listave të pritjes”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Kurse, Latifi tregoi se cila është strategjia e tyre kryesore.

“Nëse nuk kemi mirëqenie të mjekëve infermiereve të cilët po i trajtojmë si heronj, ne nuk mund të kemi sistem të mirë shëndetësor. Një nga strategjitë kryesorë është mirëqenia e tyre. Sa i përket transplantimit të indeve dhe organeve, kam qenë i informuar se ka një draft, por kjo nuk është paraparë në vitin e kaluar”.

Ai shtoi se shumë shpejt do ta sjellin në Kuvend ligjin për transplantimin e organeve dhe indeve.

“Ne e kemi paraparë këtë dhe do të mundohemi që sa më shpejt ta sjellim këtë ligj këtu në Kuvend. Sipas një studimi që është bërë ne kemi 10 mijë pacientë në pritje për shërbime të ndryshme pa shtuar numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë jashtë vendit. Ky numër është shqetësues”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore