Lajme

Largimet e deputetëve të LVV-së – “Po i hiqen skajet – pakënaqësitë me Qeverinë Kurti janë të shumta”


Deputetet e larguar nga Vetevendosje

Në 55 ka rënë numri i deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga 58 sa i kishte dy vite më parë kur u votua Qeveria Kurti në Kuvendin e Kosovës më 22 mars. Deputetët Doarsa Kica, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli, tashmë i kanë ndarë rrugët me partitë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Guxo, për shkak të pakënaqësive të shumta me Ekzekutivin.

Pos tyre, janë edhe dy deputetë “rebelë” – Eman Rrahmani dhe Visar Korenica të cilët i kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre disa herë kundër qeverisë dhe udhëheqjes së partisë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kryetar i LVV-së.

I fundit që u largua nga Vetëvendosje është deputeti Famir Humolli. Ligjvënësi nga Podujeva shpjegoji të martën e 14 marsit se “pakënaqësitë janë të shumta” dhe se “nuk po shohim ndryshime dhe punë të mëdha të Qeverisë Kurti”.

“Unë do të largohem, por nuk do të bëhem pjesë e asnjë partie tjetër, pasi mendoj se të gjitha janë të tilla, me konflikte”, tha ai për Albanian Post.

Për vite më radhë në Lëvizjen Vetëvendosje ishte edhe Nol Nushi që tash është aktivist i Partisë Social Demokrate. Por, për të largimet nga LVV-ja, “nuk janë befasi”.

“Ka qenë e pritshme”, thotë i bindur Nushi.

Sipas tij, Lista e LVV-së kur i fitoi zgjedhjet ka qenë përplot me figura të ricikluara, “me shumë persona me bindje e qëndrime kontradiktore e po ashtu shume të tjerë u bënë pjese për shkak të interesit të ndërsjellë”.

Tani, thekson Nushi, “diskursi popullsitë që solli premtime të mëdha po dështon në praktikë”.

“Disa largohen për shkak të mungesës së hapësirës sepse VV është parti jodemokratike. Ndonjë tjetër largohet sepse nuk janë realizuar pritjet e as interesat. Në këtë grup të madh ka shumë deputetë që janë zgjedhur aksidentalisht. Prandaj nuk i njohim shumicën prej tyre”, shtoi ai.

“Disa tashmë kanë deklaruar që nuk garojnë më. Në subjekte të tilla jodemokratike, roli i deputetit zbehet. Ata shndërrohen në makina votimi për propozimet e liderit”.

Ai shprehet i bindur që do të ketë edhe largime të tjera për motive nga më të ndryshmet.

Ndryshe nga Nushi, analisti politik, Nexhmedin Spahiu, i sheh si normale dorëheqjet pas një fitore prej 51 për qind, meqë potencon se është “normale që nuk mund t’i akomodojë të gjitha interesat e partisë”.

“Unë jam habitur që deri më tani, brenda dy viteve aq pak deputetë janë larguar nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes. Kam pritur që shumë më shumë të largohen deri më tani. Kjo është një gjë normale, janë njerëz me opsione të shumta politike, Natyrisht Albin Kurti nuk mund t’i akomodojë të gjithë”, shpjegon ai për AP.

Ndoshta mund të ketë edhe largime të tjera, por për mua kjo është një gjë normale, nuk është diçka e jashtëzakonshme. Spahiu mendon se me këto largime LV-së po i “hiqen skajet”.

“Atë çfarë po shoh është që Vetëvendosjes po i hiqen skajet, pra skaji i majtë dhe skaji i djathtë. Haki Abazi është skaji i djathtë, ndërsa Fatmir Humolli është skaji i majtë. Me skaje po nënkuptoj në kuptimin ideologji”.

“Nëse një parti i ka 51 për qind, ajo është një konglomerat i opinioneve të ndryshme politike, ideologjive të ndryshme politike, nuk mund të jetë vetëm një ideologji politike kur një parti i fiton 51 për qind”, theksoi Spahiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore