Lajme

Lajçak takon Bilcik: Bisedojnë për Marrëveshjen Kosovë-Serbi


Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një cicërime në Twitter, ka njoftuar se është takuar me eurodeputetin dhe raportuesin në Parlamentin Evropian për Serbinë, Vlado Bilcik, me të cilin ka biseduar për marrëveshjen e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars.

“Mirë që diskutuam me Vlado Bilcik në Bratislavë sot. Folëm për zhvillimet e fundit në Dialog dhe detajet e marrëveshjes së fundit, si dhe për punën e Kuvendit”, shkroi Lajçak në Tëitter.

Po ashtu, këtë të hënë Lajçak ka njoftuar edhe për aktivitetet e tjera përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Pas një jave të ngjeshur në Bruksel, tani jam për të kaluar disa ditët e ardhshme përsëri në rrugë. Fillova sot në Bratislavë, ku mora pjesë në një panel të organizuar nga ‘Slovak Foreign Policy Association’ për 30 vitet e Shërbimit Diplomatik Sllovak”, shkroi Lajçak.

Ndërkaq, diplomati sllovak njoftoi se para se të largohej nga Bratislava, është ftuar në një drekë nga ambasadori i Japonisë, ku pjesë e saj ka qenë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

“Para se të nisesha për në aeroport për të kapur fluturimin tim për në Berlin, mora pjesë në një drekë për nderimin tim të organizuar nga ambasadori japonez në Sllovaki Nakagawa, ku morën pjesë mysafirë të nderuar, përfshirë ministrin e jashtëm sllovak Kacer, ish ministrin e jashtëm Korçok dhe sekretarin shtetëror Brockova”.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar. Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore