Lajme

Lajçak – si rrallë herë – takohet me opozitën serbe, temë dialogu me Kosovën


Foto nga takimi

Ndërmjetësuesi i Dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është takuar me Dobrica Veselinoviç, një nga liderët e partisë opozitare Fronti i të Majtëve të Gjelbër, pjesë e koalicionit opozitar “Serbia Kundër Dhunës” që në zgjedhjet e fundit në Serbi doli grupi i dytë politik me 23.66 për qind të votave.

Por, rezultat ky që koalicioni (SPN) nuk e pranon, pasi konteston fitoren e Partisë Progresiste të Serbisë, udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, që doli e para me 46.75 për qind të votës së përgjithshme elektorale.

Kjo është ndër herët e rralla që Lajçak takohet me një lider opozitar serb për të diskutuar rreth dialogut me Kosovën dhe normalizimin e raporteve.

“Takim me përfaqësues të partisë opozitare serbe Fronti i të Majtëve të Gjelbër për një bisedë të sinqertë rreth dialogut dhe normalizimit të raporteve me Kosovën”, shkroi Lajçak.

Ai shtoi se “gjithashtu, kemi folur për zgjedhjet në Serbi, çka pas tyre dhe zhvillimet e fundit në Serbi”.

Foto nga takimi

Fronti i të Majtëve të Gjelbër në vitin 2023, pas të shtënave në shkolla në Serbi, u bë një nga organizatorët e protestave dhe më pas edhe pjesë e koalicionit Serbia Kundër Dhunës, një koalicion i disa partive politike.

Koalicioni mori pjesë në zgjedhjet parlamentare, ato në Vojvodinë dhe zgjedhjet për asamblenë e qytetit të Beogradit që u mbajtën me 17 dhjetor.

Në zgjedhjet parlamentare koalicioni mori 65 ulëse dhe në mesin e tyre nëntë i takonin Frontit të të Majtëve të Gjelbër.

Megjithatë, koalicioni opozitar nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, për të cilat edhe organizatat ndërkombëtare thanë se pati shumë parregullsi.

Koalicioni insiston sidomos për zgjedhjet në Beograd, ku thonë se kanë fituar kundrejt partisë së Vuçiç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore