Lajme

Lajçak kundër idesë së ndryshimit të kufijve: E rrezikshme dhe provokon luftë


Miroslav Lajçak, Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është “kundër idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor”.

Ai në një konferencë, ka theksuar se ideja e rishkrimit të kufijve nuk është diçka e re dhe se ka qenë e pranishme për vite të tëra.

“Idetë e përmbajtura në ‘Non-Paper’, e parë nuk janë ide të reja, janë shumë të mëparshme”, është shprehur Lajçak.

Po ashtu, ai këto ide i ka cilësuar si “të rrezikshme dhe ide që provokojnë luftë”.

Sipas tij, arsyeja e shfaqjes së tyre është sepse “vizioni i Bashkimit Evropian për integrimin e Ballkanit Perëndimor është bërë shumë e mjegullt dhe më pak motivuese për shkak se ne kemi krijuar një zbrazëtirë në rajon ndërsa të tjerët po vijnë me ide të tjera”.

Sa i përket deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se dialogu nuk është prioritet për të, Lajçaku ka thënë se “në politikë nuk mund të zgjedhësh ti prioritetet, por ato të zgjedhin ty”.

Sipas Lajçak, e njëjta gjë vlen edhe për dialogun, sepse të gjitha qeveritë janë të orientuara drejt BE-së.

“Kjo vlen po ashtu edhe për dialogun, sepse kjo është njëra nga prioritetet e të gjitha qeverive të zgjedhura si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, për shkak se e ardhmja dhe planet e tyre ekonomike dhe shoqërore, janë të gjitha të orientuara drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Ai tutje sërish ka theksuar se e vetmja rrugë drejt agjendës evropiane “është përmes dialogut”.

Ndërkaq, sipas tij, nëse prioritetet e Kurtit janë drejtësia dhe punësimi, atëherë puna do të thotë progres ekonomik dhe “nuk mund të ketë progres ekonomik pa bashkëpunim regjional i cili është i lidhur me integrimin në Evropë dhe integrimi në Evropë është i lidhur me progresin në dialog”.

Ai i ka konsideruar të dyja palët, si atë kosovare ashtu edhe atë serbe, si të barabarta në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Unë pajtohem me një reciprocitet i cili heqë barrierat por nuk pajtohem me një reciprocitet që ndërton mure të reja, gjë e cila po pengon në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të kapitalit dhe të shërbimeve”, theksoi Lajçak.

Në fund Lajçak ka përmendur edhe takimin e tij në Bruksel me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, të cilin e quan “takim me ide të qarta”.

Këto deklarata Lajçak i ka bërë në një bashkëbisedim të organizuar nga “Italian Institute for International and Political Studie” me temën “The Geopolitical Gambles in the Balkans”.

https://www.youtube.com/watch?v=u1bEIZIMtb8&ab_channel=ISPI

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore