Lajme

Lajçak e Milatoviç diskutojnë për rëndësinë e kursit euroatlantik


Jakov Milatoviç dhe Miroslav Lajçak

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të premten ka takuar presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në margjinat e sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Lajçak njoftoi se me Milatoviç kanë zhvilluar një diskutime të gjatë dhe të sinqertë.

“Ne folëm për situatën aktuale në Mal të Zi, rëndësinë e mbajtjes së kursit euroatlantik dhe urgjencën për të përdorur momentumin aktual për të mbështetur integrimin e shpejtë të Malit të Zi në BE”.

Ndryshe Milatoviç, nga Asambleja e OKB-së theksoi se sa e rëndësishme është integrimi i shtetit në Bashkimin Evropian.

Jo vetëm kaq, ai shtoi se integrimi i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor do të forcojë më tej pozicionin kundër ndikimeve dashakeqe të palëve të treta dhe do të sigurojë paqen e qëndrueshme dhe prosperitet.

“Pra, anëtarësimi i Malit të Zi në BE, është një histori domethënëse jo vetëm për vetë Malin e Zi, por do të jepte një shembull pozitiv për të gjitha vendet aspirante, nga Ballkani në Evropën Lindore, se zgjerimi i BE-së është i gjallë dhe ende e mundur”.

Ai theksoi se Mali i Zi është i përkushtuar për të ruajtur paqen e qëndrueshme në Ballkan.

“Prandaj mandatin tim e kam nisur duke forcuar miqësitë me fqinjët tanë ballkanikë. Ne kemi intensifikuar gjithashtu diskutimin me Bashkimin Evropian, duke elaboruar gjerësisht nevojën e anëtarësimit të shpejtë të Malit të Zi në BE”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore