Lajme

Lajçak bënë bilancin e javës, paralajmëron takime ditët dhe javët e ardhshme


Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

“Në bisedat tona, theksova se zbatimi i Marrëveshjes duhet të përparojë me të dyja palët duke zbatuar detyrimet përkatëse hap pas hapi paralelisht dhe bazuar në parimin se të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”, ka thënë i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Këto komete, Lajçak i ka bërë përmes një postimi në Facebook, teksa ka bërë bilancin e javës, ku ka treguar për takimet që i ka pasur këtë javë, si dhe për diskutimet që janë bërë me palën kosovare dhe atë serbe për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).

Në këtë njoftim, emisari i BE-së tregoi edhe për temat që janë diskutuar në takimet e ndara që ka pasur në Bruksel të enjten me kryengociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë serb Petar Petkoviç.

“Diskutuam për Statutin [Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe], planin e zbatimit, energjinë, targat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur. Takimet ishin të dobishme për të bërë progres në një numër çështjesh në agjendën tonë të Dialogut dhe pres ndjekje të shpejtë së shpejti”, theksoi ai.

Prandaj, pohoi top-diplomati sllovak, “planifikoj të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët e ardhshme”.

Pos kësaj, Lajçak tregoi edhe për takimin që ka pasur me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kjo pas vizitës që kishte në Kosovë.

Në Serbi, ai tha se diskutimet ishin “një vazhdim i përpjekjeve tona për të çuar përpara zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit”.

“Ngjashëm me diskutimet tona në Kosovë, trajtuam edhe çështje të tjera presing në Dialogun e lehtësuar nga BE, duke theksuar nevojën për zgjidhje urgjente në përgatitje të takimit të kësaj jave të kryenegociatorëve”, shtoi.

Ai përmendi edhe takimin që ka pasur në Bruksel të mërkurën me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me të cilin tha se ka folur “për situatën në Kosovë dhe rëndësinë e progresit në Dialogun për rrugën drejt BE-së të Kosovës”.

“E përfundova ditën me një fjalim kryesor në një darkë të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga grupi Reneë Europe i Parlamentit Evropian. Në vërejtjet e mia, fola për Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e vrullit aktual dhe nevojën për përparim të shpejtë në aderimin e tyre në BE”, theksoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore