Shqipëria

Laguna me pelikanë në Shqipëri, shtohet numri i tyre gjatë pandemisë


Vetëm 90 kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, ajo është shtëpia e rreth 260 specieve të zogjve.

Flasim për Parkun Kombëtar bregdetar Divjakë-Karavasta, që mbulon rreth 55 mijë hektarë, duke përfshirë një vijë të gjatë bregdetare me rërë, një lagunë me ujë të kripur të mbushur me pllaka baltë, ishuj të vegjël dhe një pyll me pisha.

Associated Press (AP) i ka dedikuar një artikull faunës në Lagunën e Divjakës-Karavastasë, ku gjatë pandemisë u vu re një rritje e popullatës së pelikanëve.

Sipas zyrtarëve rajonalë të mjedisit, çiftet e foleve janë rritur me një të pestën në dy vitet e fundit, nga 68 në 2019 në 85 këtë vit.

Pelikanët janë zogj të mëdhenj, që arrijnë deri në dy metra gjatësi dhe më shumë se tre metra në hapjen e krahëve.

Zona e Karavastasë njihet më së miri për “pelikanët kaçurrelë”, siç i quajnë vendasit pelikanët dalmatian, të cilët kanë koloninë e tyre të vetme në Shqipëri.

Pelikanët janë një specie në zhdukje në Shqipëri. Numri i tyre ra në 2001-2003 deri në 19 çifte folesh, krahasuar me 250 një shekull më parë.

“Paqja dhe qetësia gjatë pandemisë na kanë ndihmuar shumë në ruajtjen e ishullit Pelikan”, tha për AP-në, Adrian Koci, kreu i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Ai kontrollon rregullisht në ishull me një dron gjatë periudhës riprodhuese janar-qershor.

“Ne kemi liruar ishullin e peshkatarëve që shqetësonin pelikanët. Ne kemi ngritur foletë e tyre të kërcënuara nga batica”, tha ai.

Koci shton se peshkimi intensiv përreth ka zvogëluar numrin e peshqve që hanë pelikanët.

Ai kujdeset gjithashtu për zogjtë e tjerë të plagosur nga larg si Kosova fqinje apo Mali i Zi. Disa vjet më parë, Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara e ndihmoi atë të ngrinte qendrën e parë të rigjenerimit të shpendëve në Shqipëri.

Që nga financimi fillestar i UNDP-së, qendra ka pasur pak mbështetje financiare – nga donatorët.

Klara Perinova, 28 vjeç, udhëtoi me makinë nga Praga për të kaluar dy javë në Shqipëri me të dashurin e saj. Ajo vlerësoi “bukurinë e pazbuluar” të Divjakës.

“Ne jemi këtu, sepse ju keni një natyrë shumë të bukur, specie me të vërtetë të rrezikuara, jo të njëjtën natyrë që mund të shihni në pjesë të tjera të Shqipërisë”, tha ajo.

Koci po përpiqet shumë të ruajë mjedisin e lagunës, duke u kërkuar autoriteteve lokale që të zëvendësojnë motorët e pesë varkave të përdorura për turistët me ato elektrike, ose të instalojnë më shumë panele të energjisë diellore.

Limya Eltayeb, përfaqësuese rezident e UNDP-së, tha se organizata e KB-ve po mbështet Shqipërinë në zbatimin e “zgjidhjeve të bazuara në natyrë” në Divjakë dhe gjetkë.

Kjo, duke ndihmuar qendrën që të bëhet e vetë-menaxhueshme, përtej financimit të vogël të shtetit apo donacioneve private.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore