Shqipëria

La Nazione: Pecorelli po hetohet nga Prokuroria e Tiranës


E përditshmja italiane “La Nazione”, e cila ka ndjekur nga afër zhvillimet e biznesmenit italian Davide Pecorelli, ka zbuluar se Prokuroria e Tiranës ka hapur një hetim në lidhje me dy akuza.

Akuza e parë ka të bëjë me krimin e zjarrvënies, ndërsa vijon hetimi edhe për vjedhjen e eshtrave brenda një varreze.

Kjo e fundit mendohet se përputhet me zbulimin e eshtrave njerëzore brenda makinës tip Skoda Fabia që 45-vjeçari mori me qira në aeroportin e Tiranës.

Vetë Pecorelli ka pranuar të hënën e 20 shtatorit përpara mediave se ka kryer krime në Shqipëri.

Fillimisht, zhdukja e tij krijoi interes të madh mediatik në Shqipëri.

Makina e shkrumbuar e Pecorelli-t
Ndërtimi i situatës

Sipërmarrësi italian i cili u deklarua i zhdukur pas mbërritjes në Shqipëri, u gjet në një gomone pranë një ishulli në brigjet e Livorno-s.

Pas më shumë se 9 muajsh, Pecorelli u gjet ndërsa ishte deklaruar i zhdukur që nga data 6 janar.

45-vjeçari është një ish-gjyqtar futbolli, me origjinë nga Lama di San Giustino.

Njoftimet e fundit që diheshin prej tij, ishte udhëtimi drejt Shqipërisë për biznes.

Davide Pecorelli

Gjurmët e fundit të çonin në një makinë të djegur në veri të Shqipërisë, në Pukë, ku Pecorelli gjendej për disa angazhime.

Brenda makinës që ai kishte marrë me qira, iu gjet celulari.

Por pranë tij kishte disa mbetje, të dyshuara – njerëzore.

Mostrat e dërguara në Itali për t’u analizuar nuk lejuan zbulimin e ADN -së dhe atribuimin e identitetit të atyre eshtrave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore