Shqipëria

(Ku)vendojnë demokratët?


Qysh pas shpalljes së Berishës jashtë Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD), demokratët opozitarë janë dyzuar në drejtimin e partisë – mes të tashmes dhe të shkuarës.

Kreu aktual i PD-së, ai i së tashmes, Lulzim Basha, qëndron i vendosur se nuk do të ketë referendum për shqyrtimin e vendimit të qeverisë amerikane.

Nga ana tjetër, ish-lideri historik i demokratëve, ngulmon vazhdimisht për mbledhje të Këshillit Kombëtar Demokrat.

Analisti politik, Frrok Çupi, mbledhjen e Kuvendit të PD-së për largimin e Berishës, e cilëson si të mundur vetëm “në ëndrra”.

“Madje”, shpjegon ai për Albanian Post, “është dhe vetë Referendumi, shkelja e Statutit të PD-së apo edhe kthimi i Berishës në fronin e kryeministrit apo të presidentit”.

“Sistemi”, sipas tij, “është një tjetër pengesë e referendumit të PD-së”.

Kjo sepse, nga shpjegimet e analistit politik, në statutin e PD-së, “nuk parashikohen referendumet dhe aktivitetet referendare”. Me pak fjalë “nuk mund të zhvillohen”.

“Paradoksale”, thotë ndër të tjera ai, “ është që ky opsion u hoq me vetë vullnetin e Berishës, i cili kërkonte pushtet të pacenueshëm në PD”.

Në një kohë që Kuvendi i PD-së nuk mund të mblidhet pa votën e Kryesisë së Partisë, “ajo është më shumë nën ndikimin perëndimor të Bashës” dhe “nën frymën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA)”, shprehet Çupi.

Çfarë thotë Statuti?

Doktoresha e shkencave në fushën politike, Orinda Malltezi, për Albanian Post, sjell një qasje ndryshe nga analisti politik.

“Nëse ¼-ta e anëtarësisë së PD-së e thërret mbledhjen e Kuvendit të PD-së”, thotë ajo, “mbajtja e referendumit është e mundur dhe askush nuk mund ta pengojë atë”.

Po ashtu, Berisha, në një replikë drejtuar Bashës, u shpreh se “Kuvendi i PD-së do të mblidhet në përputhje me statutin e saj dhe askush që tmerrohet prej tij nuk mund ta pengojë”.

Më herët, Berisha, lideri historik i PD-së, ka nisur turin e takimeve me demokratët në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij me simpatizantët demokratë, ai ka deklaruar se synohet mbledhja e 1 mijë e 500 firmave të delegatëve të Kuvendit.

Referuar statutit të kësaj partie, nëse baza e dëshiron referendumin, “askush nuk mund ta pengojë”, thekson Malltezi.

“Aq më pak kryetari aktual”, ka vijuar ajo, duke e klasifikuar si drejt rënies legjitimitetin e kryedemokratit Basha.

“Për më tepër”, thotë lektorja në Departamentin e Shkencave Politike, “referendumi ndaj përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD-së nuk është çështje vullnetare”.

Kjo konfirmohet dhe nga akti themelor politik i Partisë Demokratike, i miratuar nga Kuvendi Kombëtar, më 17 korrik 2021.

Sipas Nenit 44 të Statutit të PD-së, “Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë ¼-ta e anëtarëve të tij. Në këtë rast, kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë”.

Po ashtu, të drejtën e thirrjes së mbledhjes së Kryesisë së Degës, për probleme të veçanta, e kanë edhe 1/4 e anëtarëve të Kryesisë, sipas Nenit 35 të Statutit.

Pro-kundër vendimit për Sali Berishën

Të shumtë ishin demokratët që kanë reaguar për shkarkimin e deputetit Berisha nga grupi parlamentar.

I pari që i doli në mbrojtje Sali Berishës ishte deputeti Flamur Noka, i cili debatoi me liderin Basha, gjatë mbledhjes së fundit të grupit parlamentar.

“Thikë pas shpine për demokratët”, e cilësoi Noka vendimin e kreut blu.

Nga ana tjetër, deputeti i Lezhës, Agron Gjekmarkaj, e klasifikon Berishën si “kundërshtarin e demokratëve”.

“PD-ja”, sipas tij, “është rikthyer në misionin për të cilën u krijua: si fuqi politike drejt Perëndimit dhe standardeve të saj”.

Gjatë një deklarate për mediat, ai ka pasur në fokus edhe shpalljen persona non-grata të Sali Berishës dhe familjes së tij nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 19 maj të 2021-shit.

“Konfliktin tonë me SHBA-të e dëshiron vetëm kundërshtari ynë politik! Tashmë ai nuk e ka më monopolin e raporteve me SHBA-të, as të manipulimit të tyre!”, shprehet Gjekmarkaj.

Agron Gjekmarkaj mbështet Markun, por konfirmon se do jetë në Parlament me PD: Do përballem sy më sy me qeverinë më banale e të pështirë të 30 viteve! - lajmet e fundit

A po vihet në pikëpyetje demokracia brenda partisë?

Politologia thotë se vënia në pikëpyetje e demokracisë së brendshme në PD, është një çështje nga e cila vuajnë të gjitha partitë politike në Shqipëri, të mëdha apo të vogla qofshin ato.

Sipas saj, kjo përçarje mes demokratëve ndikon në përmirësimin dhe ngritjen e PD-së.

Ajo shpjegon se dyzimi i anëtarëve të grupit parlamentar të PD-së, “vetëm mund të rrisë vetëdijen, ndërgjegjësimin e anëtarëve dhe të gjithë popullsisë” se “kjo është mënyra më e mirë për t’u përballur me problemet”.

Ndërsa për Çupin, kjo çështje është shumë politike.

“Mbledhja e Kuvendit në vetvete ka për qëllim rehabilitimin e Berishës”. Me këtë, analisti nënkupton, “nga një armik i demokracisë, Berisha do të shpallej flamurtar i saj. Nga i korruptuar dhe shantazhues i Drejtësisë, do të shpallej ‘vetë pastërtia’”.

Ditët pasardhëse do të tregojnë nëse ka të drejtë lideri i të tashmes apo ai i së shkuarës…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore