Lajme

Kuvendi i Kosovës të enjten mban seancë të jashtëzakonshme për tenderët njëburimorë


Arben Gashi

Kuvendi i Kosovës të enjten do të mbajë seancë të jashtëzakonshme me ftesë të partive opozitare për tenderët njëburimorë. Shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se kjo seancë e jashtëzakonshme është bërë me kërkesë të LDK-së dhe gjeti përkrahje nga 39 deputetë të tjerë.

Ai deklaroi të hënën para gazetarëve se Qeveria e Kosovës “theu çdo rekord” sa i përket numrit të madh të tenderëve njëburimorë, duke e konsideruar njëkohësisht “shkelje të jashtëzakonshme dhe burim të madh të korrupsionit” lëshimin e mbi 350 tenderëve njëburimorë nga ekzekutivi.

“Kjo nënkupton dhënien e kryerjes së punëve publike duke mos bërë shpallje publike, por duke ftuar individualisht tre kompani dhe duke vendosur mbi bazën e preferencës së institucionit tenderues. Kjo konsiderohet shkelje e jashtëzakonshëm dhe burim i madh i korrupsionit”, theksoi Gashi.

E shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, potencoi se gjatë vitit 2023 janë lidhur mbi 500 kontrata njëburimore, vlera e të cilave shkon në rreth 116 milionë euro. Ai gjithashtu shtoi se të njëjtat janë burim i korrupsionit dhe dëmtojnë buxhetin.

“Këto kontrata janë burim i korrupsionit, janë kontrata të negociuara në tavolinë, që dëmtojnë buxhetin e Kosovës. Kjo është shqetësuese. Ne, si Grup Parlamentar i PDK-së kemi paralajmëruar se do të iniciojmë një komision hetimor parlamentar për të hetuar këto kontrata”, shtoi ndër të tjera Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore