Shqipëria

Kushi: Takim me sindikatën, studentët ekselentë do të marrin bursë sa paga minimale


Evis Kushi, ministrja e Arsimit dhe Sportit, ka bërë me dije se do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e sindikatës së punonjësve të universiteteve për të diskutuar mbi pakënaqësitë e tyre.

Takimi, sipas saj, do të mbahet të premten e 23 shtatorit.

Po ashtu ka thënë se do të merren disa vendime për disa faktorë kryesorë që janë më shqetësues për ta.

“Nesër kemi një takim me përfaqësuesit e sindikatës së punonjësve të universiteteve, atyre që kanë firmosur peticionin. Vetëm për dialogun me universitetet vetëm ju nuk mund të na akuzoni. Çdo muaj takohemi me rektorët dhe është edhe vetë kryeministri ku diskutojmë e marrim vendime bashkërisht”.

Kushi ka vijuar duke thënë se nuk ka pasur asnjë periudhë ku të ketë një dialog kaq intensiv.

“Se çfarë vendimesh do të marrim nuk mund t’jua them që tani por sigurisht do të kemi një vendimmarrje për faktorët kryesorë. Të gjithë studentët ekselentë, që marrin pjesë në olimpiada, do të fitojnë bursa sa paga minimale”, ka shtuar ajo.

Të enjten e kaluar, pedagogët kanë zhvilluar një protestë, pasi nuk ka pasur asnjë reagim ndaj peticionit në lidhje me kërkesat e tyre.

Sakaq, janë zbardhur nëntë kërkesat e pedagogëve drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.

Në peticion kërkohet të arrihet niveli i pagave të Universiteteve publike të Kosovës, brenda dy viteve me rritje 30 për qind në tetor 2022 dhe 20 për qind në tetor 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore