Aplikacione

Kush po e ndërton metaverse-in?


Javën e kaluar, Facebook-u ndryshoi emrin në Meta Platforms për të sinjalizuar fokusin e tij në metaverse për të cilin mendon se do të jetë pasardhësi i internetit celular.

Metaverse i referohet një platforme virtuale të përbashkët, në të cilën njerëzit mund të hyjnë përmes pajisjeve të ndryshme dhe ku mund të lëvizin nëpër mjedise digjitale, tregon e përditshmja Reuters.

Shumë përpara se të shfaqeshin demo të shefit Mark Zuckerberg, me robotë gjigantë dhe udhëtime digjitale në kohë në Romën e lashtë, dhjetëra kompani po krijonin bazën që mund të përdorej për këtë të ardhme.

Edhe pse koncepti mund të jetë më shumë se një dekadë larg realizimit të plotë, do të kërkojë bashkëpunim mes gjigantëve të teknologjisë.

Në qershor, firma e investimeve Roundhill Investments krijoi një fond për të gjurmuar dhe për të përfituar nga puna e mundësuesve metaverse.

Mjaftuan vetëm disa orë përpara se Facebook-u të shpallte riemërimin e tij, kur një tjetër firmë nxori fondin e vet për metaverse.

Por cilat janë kompanitë që po i kushtojnë vëmendje metaverse-it?

Roblox

Platforma e lojërave video, Roblox Corporation, e cila u bë publike këtë vit, parashikon metaverse-in si një vend ku “njerëzit mund të bashkohen brenda miliona përvojave 3D për të mësuar, punuar, luajtur, krijuar dhe socializuar”.

Roblox synon t’u japë përdoruesve dhe zhvilluesve mënyra për të krijuar botë digjitale.

Drejtori i përgjithshëm ka folur gjithashtu për blerjet e ardhshme dhe kryerjen e biznesit në platformë, e cila ka ekonominë e saj virtuale të mundësuar nga monedha e vet Robux.

Microsoft

Satya Nadella, shefi i Microsoft Corp, ka thënë këtë vit se kompania po punonte për të ndërtuar një “metaverse të ndërmarrjes” teksa bota digjitale dhe ajo fizike konvergojnë në ofertat e saj.

Edhe Microsoft-i, i cili zotëron Xbox-in dhe lojën Minecraft, është një lojtar kyç në botën e lojrave. Phil Spencer, shefi i Xbox-it, ka folur mbi një planifikim për “një konstrukt metaverse ose realitet të përzier”.

Facebook

Tanimë, Facebook-u ka deklaruar se dëshiron të shihet si një kompani metaverse dhe jo si një kompani e mediave sociale.

Gjiganti i teknologjisë, i cili ka afro tre miliardë përdorues, ka investuar shumë në realitetin e shtuar dhe atë virtual dhe ka ndërtuar mjedisin e tij VR Horizon, i aksesuar përmes kufjeve të tij Quest.

Nvidia

Prodhuesi i çipave kompjuterikë Nvidia Corp (NVDA.O) ndërtoi platformën e saj Omniverse për lidhjen e botëve 3D në një univers virtual të përbashkët. Ai thotë se Omniverse, i cili përdoret për projekte si krijimi i simulimeve të ndërtesave dhe fabrikave të botës reale, është “hidraulik” mbi të cilin mund të ndërtohen metaverset.

Unity

Kompania Unity Software që zhvillon software të përdorur për të dizajnuar lojëra video, është një tjetër kompani që mund të shesë mjete ose teknologji të përdorura për të ndërtuar metaverse.

Snap

Reuters tregon se ka kohë që pronari i Snapchat Inc po ndërton modele të personalizuara dhe filtra të realitetit të shtuar për të mbivendosur veçoritë digjitale në botën reale.

Këtë vit, kompania zbuloi syzet e para të realitetit të shtuar, të disponueshme për zhvilluesit për të eksperimentuar me krijimin e përvojave për spektaklet.

Autodesk

Firma e programeve kompjuterike, Autodesk, prodhon programe të përdorura nga arkitektë dhe inxhinierë për të projektuar dhe krijuar ndërtesa dhe produkte.

Software-i i saj përdoret gjithashtu për të ndërtuar botë virtuale për lojëra dhe argëtim.

Tencent

Tencent Holdings Ltd, gjigandi kinez i teknologjisë, konsiderohet si firma më e madhe në botë e lojërave video sipas të ardhurave dhe ka aksione në studiot kryesore të lojërave si Epic Games dhe Activision Blizzard.

Epic Games

Epic është kompania që qëndron pas fenomenit të lojërave video, Fortnite.

Ajo zotëron edhe një motor të madh lojrash, Unreal, i përdorur për të zhvilluar lojëra dhe efekte të tjera vizuale si sfondet e shfaqjeve televizive.

Shefi Tim Sweeney, një kritik i zëshëm i platformave të mëdha si Apple Inc dhe Google, ka argumentuar se metaverse do të duhet të jetë një hapësirë ​​pjesëmarrëse dhe e përbashkët.

Amazon

Gjiganti i tregtisë elektronike, Amazon.com Inc,, i cili është shitësi më i madh në botë i shërbimeve cloud, shihet gjithashtu si një lojtar i mundshëm në metaverse, zbulon Reuters.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore