Lajme

Kush është imun nga vendimi i Biden për “destabilizuesit e Ballkanit”?


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka lëshuar Urdhër Ekzekutiv ku bllokimi i pronave dhe ndalimi i hyrjes në SHBA janë dy sanksionet e parapara ndaj personave që shënjestrohen si destabilizues në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë urdhër të publikuar më 8 qershor të këtij viti, përmenden persona nga ish republikat Jugosllave dhe Shqipëria. Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara ishte gjithashtu një ndër pikat e urdhrit.

Mesazhet që dalin nga dekreti amerikan i vlerëson të fuqishme  Visar Ymeri, ish-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tani udhëheqës i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Ymeri përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka thënë se njëra prej arsyeve është pikërisht kjo Rezolutë e cila sipas tij vazhdon të jetë ende në fuqi.

“Nga ana politike mund të spekuloj se njëra prej arsyeve është se Rezoluta 1244 vazhdon të jetë në fuqi, meqë asnjëherë nuk është anuluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ajo vazhdon të shërbejë si bazë ligjore e pranisë ushtarake të NATO-s në Kosovë. Kjo urdhëresë administrative është rikonfirmim i asaj të shpallur në vitin 2001 nga Presidenti George W. Bush”.

Sipas tij, e përbashkëta e këtyre dokumenteve është se secila prej tyre në një formë ose tjetër kanë zgjidhur konflikte (të armatosura ose diplomatike), në favor të rritjes së mundësisë së bashkëpunimit rajonal.

Për më tepër ai ka thënë se marrëveshja e 4 shtatorit “nuk është marrëveshje që zgjidh konflikt. Marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi e cila përmendet në mënyrë implicite do të jetë marrëveshje e tillë dhe do të trajtohet kështu si të tjerat edhe nga SHBA-të”.

Shtëpia e Bardhë në konsultim me Departamentin e Shtetit do të vazhdojë ta përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri.

“Garantimi i sigurisë dhe i stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike”, thuhet në dekretin e Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkaq, sipas analistit Ymeri, lista e personave që potencialisht do të preken nga kjo urdhëresë është e gjerë sepse ajo e zgjeron fushëveprimin e asaj që SHBA-të po konsiderojnë rrezikim të sigurisë nacionale.

“Në kuadër të saj nuk janë vetëm grupet e armatosura siç ishin më parë, por futen edhe aktivitetet korruptive, krimi i organizuar, keqpërdorimet financiare, financimet e dyshimta, e kështu me radhë. Në këtë drejtim kjo Urdhëresë praktikisht i vë në shënjestër jo vetëm politikën, por edhe biznesin, mediat dhe organizatat e ndryshme”, shtoi ai.

Se a mund të implikohen edhe personat nga Kosova, Ymeri theksoi se të gjithë ata që vlerësohen si pengues të përpjekjeve për paqe, stabilitet, bashkëpunim e drejtësi në rajon rrezikojnë të implikohen.

Sipas Ymerit, gjithsecili që del kundër interesave amerikane qoftë edhe kryeministri mund të hyjë në listën e zezë.

“Po, mendoj që askush nuk ka imunitet ndaj kësaj pavarësisht pozitës. Natyrisht që do të jetë vlerësim i agjencive amerikane, e më së shumti të atyre të sigurisë, që ta përcaktojnë se kush dhe për çfarë arsye futet në listën e zezë”, potencoi ai.

Kur pyetet se pse nuk përmenden marrëveshjet e tjera si ajo e 4 shtatorit, Ymeri ka thënë se kjo marrëveshje është dokument përmes të cilit palët marrin zotime për çështje të caktuara që kanë të bëjnë me marrëdhëniet rajonale e sidomos me interesat gjeostrategjike.

“Nuk është marrëveshje mes dy vendeve e as nuk trajtohet si e tillë. Dokumentet e përmendura në Urdhëresën Ekzekutive janë kryesisht ato që janë arritur mes shteteve në formën e marrëveshjeve bilaterale, ato që janë arritur mes komuniteteve për rregullimin e brendshëm të shteteve (Dayton, Ohri), por edhe Rezoluta 1244 që realisht e transformon pozicionin e Kosovës krahasuar me atë të paraluftës”.

Në anën tjetër, juristi Taulant Hodaj, për Albanian Post ka thënë se Rezoluta 1244 “është pjesë e të drejtës ndërkombëtare, ndërsa marrëveshja e 4 shtatorit nuk është një marrëveshje ndërkombëtare”.

Sipas tij, marrëveshja e 4 shtatorit nuk është ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare.

“Nuk është ratifikuar si e tillë nga asnjëra palë, nuk është e deponuar në OKB si marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk e ka një karakter të marrëveshjes ndërkombëtare por më shumë është si zotim i dy shteteve Kosovës dhe Serbisë karshi SHBA-ve”, shtoi Hodaj.

Këtë urdhër ekzekutiv juristi Hodaj, po e sheh si një mesazh direkt të drejtuar ndaj politikës në rajon dhe gjithë atyre që pengojnë paqen dhe interesat amerikane sipas tij do të ballafaqohen me sanksione të forta nga SHBA-të.

“Ky urdhër është një vendim obligues me fuqinë e ligjit në SHBA. Referenca në marrëveshjet ndërkombëtare, bilaterale dhe opinionet apo vendimet e gjykatave ka më shumë kuptim në aspektin ligjor pasi Urdhri Ekzekutiv i Presidentit sanksionon të gjithë ata që veprojnë kundër këtyre marrëveshjeve që kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare, apo janë pjesë e të drejtës ndërkombëtare”.

Sa i përket Rezolutës 1244, juristi Artan Çerkini në një prononcim për Albanian Post ka thënë se “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vendimin e saj në lidhje me kërkesën e Serbisë për interpretimin se a është shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, në mes tjerash kishte mbajtur qëndrimin se Rezoluta 1244 nuk paraqet pengesë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-presidenti amerikan George W. Bush, pas luftërave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore