Lajme

Kush e kupton Albin Kurtin? – “Shqiptarët nuk e dojnë Amerikën” dhe “Duajeni Kosovën, bile sa e don Amerika”


Albin Kurti

Ose Albin Kurti ka pësuar një metamorfozë të një lloji të veçantë, ose deklarimet e tij janë kryevepra semantike, të cilave veç një profesor i rryer do të mund t’ua gjente të përbashkëtën kuptimore.

Ishte viti 2016, Lëvizja Vetëvendosje po bënte protesta dhe një nga mjetet ishte vendosja me tenda në shesh të Prishtinës.

Aty, me një veshje të thjeshtë dhe i mbështetur në cepin e një objekti, Kurti opozitar dëgjonte protestuesit se si argumentonin rëndësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo veç për Kosovën, por në përgjithësi për filozofinë e jetës.

“Unë e dua politikën amerikane, e dua demokracinë amerikane, e dua ‘freedom of expression’”, thoshte një nga protestueset.

Derisa prapa kamerës dëgjoheshin pasthirrma në anglisht.

I gjendur, mbase për befasinë e tij, në këtë ambient filoamerikan, Kurti e pa të udhës të ndërhynte për t’iu dhënë disa shpjegime, jo për çfarë mendonte ai për Amerikën, por për çfarë mendonte ai se mendonin ata për Amerikën.

Duke folur më shumë si psikolog sesa si politikan, Kurti ua zbuloi qetësisht se ajo çfarë ndienin ata dhe, në përgjithësi shqiptarët për Amerikën, nuk është dashuri. Është diçka tjetër.

“Prej përvojës, t’u folë qeshtu me njerëz, nuk mendoj që shqiptarët i dojnë amerikanët, as Amerikën”, filloi ligjërimin Kurti me tone të kujdesshme.

“Unë mendoj që shqiptarët ma shumë e kanë njëfarë ankthi të mundësisë të braktisjes nga Amerika se sa që e dojnë Amerikën”, vazhdoi shtrirjen Kurti.

Ai, si një psikolog veteran, u fliste protestuesve për atë që njihet si autofobia, apo monofobia, pra frika e ndjenjës së braktisjes, apo frika e të mbeturit vetëm e në izolim.

“Njerëzit e kanë hallin mos po na lenë Amerika. Nuk është që e dojnë, po tuten mos po na lenë”, vazhdonte Kurti.

Të gjendur para këtij autoriteti të dijes që impononte Kurti, me shpjegimet prej studiuesi të sjelljes njerëzore, ata që lëshonin zëra anglisht filluan ta thyenin gjuhën pak e t’i ktheheshin shqipes.

Gruaja, e cila thoshte se i pëlqen “freedom of expression”, nuk fliste më.

Njëri nga protestuesit e pranoi: “pak e thellë kjo Albin”, derisa një protestues tjetër kumtoi: “po a duhet njerka ma shumë se nana”.

“Kush është nana?”, e pyetën të gjithë.

“Shqipëria pra”, tha ai.

Shpërtheu gazi. Pajtimi u arrit. Kurti kishte të drejtë.

Ata që ishin aty zbuluan se Amerikën nuk e donin, por veç tuteshin se po i braktiste.

6 vjet më vonë, në një situatë e kontekst krejt tjetër, jo jashtë qeverisë në protesta si opozitar, por brenda qeverisë si kryeministër, Kurti ua dha edhe një leksion qytetarëve të Kosovës.

Me aq sa ka kuptuar kryeministri, qytetarët nuk po e duan edhe aq shumë vendin e tyre.

Si për çudi, prapë u mor shembull Amerika!

Ju lutem”, u përgjërua Kurti, “duajeni Kosovën, bile sa e don Amerika”.

“A unë besoj se duhet ta duam edhe më shumë se që e don Amerika, sepse është vendi ynë”.

Ndoshta edhe për shkak të kohës, kryeministri s’e shtriu më gjerë e “më thellë” shpjegimin. As nuk teorizoi nëse Amerika e do Kosovën, apo ka frikë nga ndjenja e braktisjes.

Sido që të jetë, konferencën e la në bindje se kërkesa do t’i përqafohet, njëjtë si natën e ftohtë të atij shkurti motmotin e largët 2016.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore