Lajme

Kusari-Lila: Vuçiç ndjek manualin e Millosheviçit – brutal ndaj atyre që tregojnë të vërtetën për krimet e Serbisë


Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ndjek manualin e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, posaçërisht ndaj atyre që pranojnë të vërtetën e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Reagimi i kryedeputetes kosovare nga radhët e partisë në pushtet vjen në dritën e raportimeve për dhunën brutale të ushtruar nga shërbimet sekrete serbe ndaj politikanit opozitar serb, Nikolla Sandulloviç, i cili kishte realizuar një vizitë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke shprehur ngushëllime në emër të popullit serb për krimet e Serbisë.

“Drejtpërsëdrejti nga manuali i Millosheviçit: Vuçiç, ish-ministër i regjimit të Millosheviçit, duke aplikuar metoda brutale ndaj atyre që pranojnë të vërtetën e krimeve të Serbisë në Kosovë. Vuçiç është një shekull larg pranimit të së vërtetës së krimeve të kryera, ndërkohë rrezikon ekzistencën e atyre që e bëjnë këtë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë (1998-1999), nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës. Serbia, gjithashtu, ka refuzuar të japë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e viktimave të regjimit gjenocidal të Millosheviçit.

Dyshohet se Radoiçiçi ushtroi dhunë brutale ndaj Sanduloviçit – politikanit serb që nderoi familjen Jashari

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore