Lajme

Kusari-Lila: Kosova me normën me të ulët të inflacionit në rajon për muajin qershor


Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Kosova ka normën më të ultë të inflacionit në rajon për muajin qershor.

“Norma vjetore e inflacionit në Kosovë u zbut për muajin e qershor 2023 në 2.8% nga 4.3% e reviduar në muajin në maj, duke shënuar normën më të ulët të inflacionit që nga qershori 2021”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, disa e kanë të vështirë ta pranojnë apo ende më keq, “i manipulojnë me vetëdije indikatorët ekonomik”.

“Por faktet dhe puna e flet të kundërtën. Kosova me normën më të ultë të inflacionit në rajon apo uljen më stabile të saj”.

Ndryshe, në tremujorin e dytë të 2022, inflacioni në Kosovë arriti nivelet më të larta që nga mesi i vitit 2008, i nxitur kryesisht nga rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të energjisë dhe ushqimit.

Kështu thuhej në një raport të Bankës Qendrore të Kosovës e ku potencohet se indeksi i çmimeve të konsumit gjatë këtij viti arriti 12.6 për qind, me normën më të lartë të inflacionit të shënuar gjatë muajit qershor prej 14.1 për qind.

“Si pasojë e intensifikimit të presioneve inflacioniste gjatë vitit 2022, inflacioni në Kosovë ka filluar të shpërndahet edhe në sektorë tjerë veçanërisht në atë të shërbimeve, që lë të kuptohet për bartjen e kostove të ngritura nga prodhuesit tek konsumatorët”, thuhet në raport.

Banka Qendrore e Kosovës ka paraparë që inflacioni në vitin 2023 të jetë rreth 6.2 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore