Kosova

Kurti viziton policin e plagosur në Veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës tek polici i cili u lëndua në Veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar policin që u plagosë gjatë mbrëmjes të së enjtes në Veri të Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, kryeministri e ka falënderuar policin për qëndrimin e tij në Veri.

Teksa ka thënë se për këto veprime peronat përgjegjës do të dënohen.

“Ekrem Neziri, polici që u plagos mbrëmë në veri të Kosovës, është operuar me sukses të plotë sot në QKUK. Vullnetin e kishte të fortë, kurse shëndetin e mirë. Me të këtillë zyrtarë mbahet shteti. Kriminelët do të ndiqen e dënohen”.

Operimi i policit Ekrem Neziri, i cili u plagos të enjten në mbrëmje në pjesën veriore të Kosovës, ka kaluar me sukses dhe gjendja shëndetësore e tij është stabile.

Mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Avdush Bajgora, bëri të ditur se pacienti është pranuar mëngjesin e së premtes, rreth orës 08:30, pasi i njëjti kishte marrë trajtim në Spitalin e Mitrovicës, ndërsa parametrat vitale kanë qenë të gjitha stabile.

“Kemi bërë edhe ekzaminime tjera si CT e kokës ku është konstatuar se tek pacienti kemi pjesë të metalit në këtë rast të predhës në regjionin e kraharorit. Në bazë të analizave biokimike dhe bio-hemetologjike është konstatuar se pacienti ka gjendje stabile dhe është dërguar për trajtim në Kirurgjinë Torakale ku edhe i është bërë intervenimi”, deklaroi Bajgora.

Lajmin për gjendjen shëndetësore të tij e kishte bërë të ditur edhe drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi për Albanian Post.

“Polici i cili ka qenë i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Lëndimet e tij janë në shpatull për çka edhe do të transferohet në Prishtinë për t’iu nënshtruar një intervenimi kirurgjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, kishte thënë Zhubi për AP.

Si u plagos polici i Kosovës në Veri?

Të enjten, në orën 23:oo, vetëm 60 minuta para mesnate, derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit, u sulmuan nga një grup personash të armatosur dhe me maska.

Nga sulmi kishte mbetur i plagosur Ekrem Neziri nga Njësisa për Reagim të Shpejtë.

Plumbi e kishte goditur në krahë, ndërsa më pas, nga xhami i dërrmuar nga breshëria, copëza të vogla metalike e kanë goditur edhe në kokë, më saktësisht në pjesën e veshëve.

Kjo nuk është hera e parë që është sulmuar një patrullë e policisë prejse janë rritur tensionet, fillimisht për shkak të zbatimit të vendimit të sekuencuar për targat, por është hera e parë që është plagosur një pjesëtar i forcave të rendit.

Deri më tani – përkundër se ka pasur në disa raste të shtëna me armë, hedhje të shok bombave e vënie flake të veturave të banorëve serbë që vendosnin t’i zëvendësojnë targat në RKS, ashtu siç ua kërkonte policia – nuk ka pasur asnjë të arrestuar.

Por, arsyeja përse Policia e Kosovës shtoi prezencën në Veri, siç e ka shpjeguar edhe vetë ministri Xhelal Sveçla, ishte pasiguria e qytetarëve të Kosovës në atë zonë prejse janë rritur tensionet, por edhe për të konsoliduar radhët pas momentit kur një grup me maska e i armatosur zmbrapsi policët bashkë me zyrtarët zgjedhorë komunalë, që provonin të kenë qasje në zyrat e tyre dhe të punojnë.

Grupet kriminale në Veri nuk duan që ata zyrtarë të vazhdojnë punën, sepse me direktiva të Listës Serbe, ata nuk duan as mbajte të zgjedhjeve me 18 e 25 dhjetor, data këto që i ka shpallur si ditë zgjedhjesh presidentja Vjosa Osmani, pasi serbët vendosën të djegin mandatet dhe të tërhiqen nga çdo nivel institucional e politik.

Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegele.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore