Lajme

Kurti uron Sanchez-in për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Spanjës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Pedro Sanchez-in për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Spanjës.

Urimin e tij për homologun spanjoll kryeministri Kurti e ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën X.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

“Javën e kaluar në Kongresin e Partive Socialiste Evropiane në Malagas, u riafirmua se Evropa jonë progresive mund të mbështetet të PSOE për të ndalur ngritjen e së djathtës ekstreme. Urimet më të mira për suksese të vazhdueshme”, ka shkruar Kurti.

Spanja është njëra nga pesë vendet – së bashku me Greqinë, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë – anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe, Pedro Sanchez fitoi mbështetjen e shumicës së ligjvënësve në parlamentin e Spanjës për të formuar një qeveri të re të enjten e 16 nëntorit, duke i dhënë fund ngërcit politik katër mujor në Madrid.

Kryeministri 51-vjeçar mbizotëroi në një votim në parlamentin e Spanjës, me 350 vende, duke marrë vota po nga çdo grup i majtë dhe separatist.

Në total, 179 ligjvënës e mbështetën Sanchez-in.

Të shtatë ligjvënësit që i përkisnin partisë separatiste katalane Junts, e cila kishte fuqinë ose ta bënte Sanchezin kryeministër ose ta detyronte Spanjën të zhvillonte zgjedhje të reja, votuan në favor të tij.

Fitorja e Sanchez-it në parlament përfundon një periudhë trazirash politike që nisi në maj, kur udhëheqësi socialist shpalli zgjedhje të parakohshme pasi partia e tij pësoi humbje shkatërruese në zgjedhjet rajonale dhe lokale në mbarë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore