Kosova

Kurti udhëton drejt Zvicrës, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar të hënën e 16 janarit për në Zvicër ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos”.

Kurti së bashku me ministren Rizvanolli, do të jenë folës edhe në Samitin e Investitorëve në Cyrih.

“Ndërkaq, në ditën e parë të qëndrimit në Zvicër, Kryeministri Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Shefin e Stafit, Luan Dalipi, Këshilltarin Politik për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu dhe Këshilltaren politike të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Gearda Demiraj do të jenë folës në Samitin e Investitorëve në Cyrih (Zürich), të organizuar nga Qeveria e Kosovës”.

Vizita e fundit e kryeministri ka qenë në Austri më 12 janar ku është takuar me kancelarin austriak Karl Nehamme.

Brenda një muaji kjo ka qenë vizita e tretë e kryeministrit në Austri.

Më 7 dhjetor, Kurti, kishte udhëtuar për në Vjenë të Austrisë ku kishte marr pjesë në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor.

Më 14 nëntor, kreu i ekzekutivit mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, duke deklaruar se Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në rajon prej 10.7 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore