Lajme

Kurti – “Të besohet çfarë thotë Beogradi është naivitet, derisa armatosen nga lindja e veri-lindja”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior [Serbia] organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën kur bëhen dy muaj që nga agresioni rus mbi Ukrainën.

Miqtë e Putinit në Serbi dhe në entitetin serb të Bosnjes “Republika Srpska”, shkroi kryeminuistri i Kosovës, synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan dhe për Ballkan.

T’i besohet deklaratave të Beogradit e cila armatoset nga veriu e lindja, tërë kohën, Kurti tha se është naivitet.

“Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit”, tha ai.

“Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar”.

Kurti rikujtoi se taktikat e njëjta si ajo e Putinit që përdori për agresionin e tij mbi Ukrainë, Kosova i ka parë edhe më herët.

“Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë”, tha Albin Kurti.

“Kështu thoshin edhe për Putinin”.

Ja që përfundoi fushata elektorale dhe i fitoi zgjedhjet partia-shtet por sanksionet ndaj Rusisë nuk i vendosi”, shkroi mes tjerash Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore