Lajme

Kurti takon senatoren Ernst: Kosova e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit me Iowa-n


Albin Kurti dhe senatorja Ernst

Partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, ishin tema e takimit në mes të Kryeministrit, Albin Kurti dhe senatores nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst, në margjina të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

Gjatë takimit, kryeqeveritari Kurti, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve në të gjitha fushat.

Ai falënderoi senatoren Ernst, veçanërisht për përkrahjen dhe ndihmën që SHBA-të dhe shteti i Iowa-s i ka dhënë Kosovës, për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Jemi krenarë për bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes”, tha kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se ishte kënaqësi e madhe që gjeneralmajor Corell nga Garda Kombëtare e Iowa-s ishte në Kosovë për Ditën e Pavarësisë.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë, kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës mirëpret avancimin e bashkëpunimit me Iowa-n, shkëmbimin e praktikave, veçanërisht në ekonomi, bujqësi, mjedis e energji të ripërtërishtme.

Kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ai rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe botë.​

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore