Lajme

Kurti takon Heappey-n, flasin për rritje bashkëpunimi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar këtë të marte me ministrin e Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, me të cilin ka biseduar për “marrëdhëniet e shkëlqyera” në mes të dy vendeve, si dhe për mundësitë që të rritet edhe më tej bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

“Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, teksa e uroi për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Aty bëhet me dije se Kurti nga ana e tij e njoftoi ministrin Heappey “me progresin e Kosovës në këto dy vite qeverisje, duke theksuar se Kosova ka bërë rritje të shënuar ekonomike si për nga rritja e GDP-së, po ashtu edhe e investimeve dhe rritjes së të hyrave”.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit pasi e ka theksuar rritjen e buxhetit në fushën e mbrojtjes, vlerësoi të nevojshëm rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim “me bashkë-zbarkime, trajnime dhe pajisje të reja ushtarake”.

Deri më tani 28 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses programin e edukimit ushtarak në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sandhurst.

“Ministri Heappey nënvizoi që Kosova është histori suksesi dhe duhet të punojmë së bashku për të promovuar progresin e arritur këtu”.

“U vlerësua se roli i Mbretërisë së Bashkuar në rajon i kontribuon lirisë, demokracisë dhe progresit, andaj edhe duhet të jetë sa më aktiv”.

Ndryshe, gjatë ditës edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ministrin e Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuara, James Heappey.

Osmani ka biseduar me ministrin britanik për fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona.

Siç thuhet në njoftimin e presidencës, Osmani ka theksuar përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për integrim në institucionet euroatlantike, “me ç’rast ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen përgjatë viteve, duke theksuar se Kosova tanimë ka dëshmuar se është partner jo vetëm kredibil dhe i besueshëm, por i përkushtuar për të bashkëpunuar me aleatë për të kontribuar për paqe afatgjate në vend, rajon dhe kudo në botë”.

Osmani takon ministrin për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuara, bisedojnë për fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

Përveç Kurtit dhe Osmanit, Heappey është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Pas realizimit të suksesshëm të trajnimit të përbashkët në Ishujt Falkland shpreha para ministrit Heappey gatishmërinë tonë që FSK të marr pjesë edhe në misione të tjera përkrah Forcave të Armatosura Britaneze. E po ashtu temë tjetër diskutimi ishte dhe investimi në industrinë e mbrojtjes dhe blerjen e pajisjeve ushtarake të cilat po bëhen përmes marrëveshjeve shtet më shtet, sipas standardeve të NATO-s dhe në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit”, shkroi Mehaj në Facebook.

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti

Nga ana e tij, ministri Heappey ndër të tjerash ka theksuar se “Kosova do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në procesin e integrimit në programin e Partneritetit për Paqe, organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në BE dhe në NATO”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore